Qendra e emergjencës në Komunën e Vitisë në Kosovë është mbyllur sot në mëngjes, pasi një person rreth të 80-ve dyshohet se është prekur me koronavirus.
I gjithë stafi mjekësor që ka qenë në kontakt me ambientin ku ka qëndruar ai, është në karantinë, raporton gazeta Express.
Rastin për Express e ka konfirmuar Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kodoni.
“Po, është shumë e vërtetë që është mbyll emergjenca në Viti. ka qenë një rast d.m.th. që është i dyshuar, ka shkuar prej neve në Gjilan si grip , pra si gjendje gripoze.
Nuk është dyshuar që është i prekur me koronavirus, pra është dyshuar veç për gjendje gripoze, por në bazë të informative jo zyrtare kemi marrë vesh që rasti ka shkuar në Prishtinë, për dyshim me virus.
Prandaj ne kemi ardhur sot në mëngjes kemi mbyllur emergjencën dhe e kemi bërë pastrimin dhe aktualisht jemi duke funksionuar në objektin tjetër”, ka thënë ajo.
Kodoni thotë se i ka urdhëruar 11 mjekë e infermierë që të mos dalin nga dhoma deri në daljen e rezultateve. Personi që dyshohet për koronavirus ka qenë në Itali së fundi.