Ministria e Bujqësisë ka reaguar lidhur me pezullimin e fondeve të Bashkimit Europian, që i vijnë në ndihmë sektorit të bujqësisë në Shqipëri, nëpërmjet programit “Ipard”.

 

Në njoftimin zyrtar, Ministria e Bujqësisë thekson se puna vazhdon, ndonëse konfirmon ndërprerjen e fondeve të BE.

 

Bashkimi Europian ndërpreu fondet, pasi ka rezultuar se nuk janë respektuar procedurat ligjore, por ky fakt konsiderohet si procedurë standarde nga ministria.

 

“Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Keto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”, thuhet në njoftim.

 

Më tej, Ministria e Bujqësisë thekson se do të ketë transparencë të plotë dhe ndërveprim me Bashkimin Europian.

 

“Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë, sikurse kanë vepruar nga dita e parë e akreditimit, të të gjithë proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

 

Komisioni Evropian njoftoi ndërprerjen e fondeve duke theksuar se kjo është një masë e ndërmarrë nga indiciet për korrupsion. Megjithatë, hetimet do të vijojnë, teksa në përfundim priten dhe propozime konkrete, për përgjegjësitë e shpërdorimit të parave të Bashkimit Europian.

 

Programi “Ipard” është një mekanizëm financimi i BE-së, që përfitohet nga vendet që janë në proces anëtarësimi. Këto fonde i shpërndahen fermerëve të cilët duan të rrisin më tej investimet e tyre në bujqësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re