Skip to content

Dyshime për zhvatje fondesh te AKSHI-t, kompania e Ermal Beqirit nën hetim

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme dhe qëndroi për rreth tre orë në ambientet e SPAK, ku u mor në pyetje nga prokurori special Bledar Maksuti lidhur me hetimin e hapur për tenderët problematikë të institucionit që ajo drejton.

Në fokus të hetimeve ndodhet kompania Soft & Solution, në pronësi të Ermal Beqirit, e cila sipas burimeve ka përfituar pjesën më të madhe të tenderëve të dyshuar si të parregullt nga AKSHI. SPAK dyshon se përmes kësaj kompanie është ndërtuar një skemë për përfitime të paligjshme nga fondet publike.

Sipas burimeve hetimore, pasi tenderët fitoheshin nga Soft & Solution, kompania kontraktonte në mënyrë fiktive një ose dy subjekte të tjera, të lidhura me persona që dyshohet se ushtronin ndikim mbi vendimmarrjen e Karçanajt dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Megjithëse faturat për “shërbime” lëshoheshin nga kompani të treta, puna reale kryhej nga stafi i vetë kompanisë së Ermal Beqirit.

Kjo skemë dyshohet se është përdorur për të justifikuar transferime financiare përmes kontratave të shërbimit, ndërsa SPAK po verifikon me detaje faturat e lëshuara, për të cilat ka dyshime se janë fiktive.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se prokuroria disponon edhe dëshmi nga vartës të Karçanajt, pjesë e KVO-ve, të cilët kanë pranuar se procedura të caktuara janë miratuar në favor të kompanisë së Beqirit dhe subjekteve të tjera përfituese.

Paralelisht, po hetohet edhe roli i kompanisë Advanced Business Solution, në pronësi të Gerond Meçes, e cila kishte ankimuar thuajse gjithë tenderët e mëdhenj të AKSHI-t, por papritur është tërhequr nga të gjitha ankesat, duke ngritur dyshime për një marrëveshje të fshehtë.

SPAK po heton në total të paktën 12 tenderë të AKSHI-t, që dyshohet se janë zhvilluar me shkelje dhe me skema të mirëorganizuara për përfitime të paligjshme, ku në qendër të dyshimeve qëndron pikërisht kompania e Ermal Beqirit.