Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, Irena Brahimi.

Vlerësimi i Komisionerit Publik

Në një deklaratë zyrtare, Komisioneri Publik, thekson se pasi ka shqyrtuar vendimin e KPK-sC, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni për konfirmimin në detyrë të znj. Brahimi, nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues për subjektin e rivlerësimit dhe personat e lidhur me të.

“Komisioneri Publik, duke çmuar se ky vendim, objekt ankimi, shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se çështjet e konstatuara, në vlerësim të akteve të administruara përbëjnë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit. Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme që brenda juridiksionit rivlerësues/kontrollues të Kolegjit, ky i fundit, në shqyrtim të këtij ankimi, të riçelë hetimin gjyqësor, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të identifikimit të burimeve të ligjshme të krijimit të të ardhurave të ligjshme, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive mbi të cilat ushtron të drejta subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të.

Komisioneri Publik vlerëson të nevojshme rishikimin e analizës financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur me të, për periudhën e deklarimit.

Për sa kohë, eventualisht, konfirmimi në detyrë i subjektit të rivlerësimit realizohet pasi është analizuar secili nga kriteret përkatëse, por edhe në një vlerësim të përgjithshëm të procedurave, Kolegji do të mund ta ushtrojë juridiksionin e tij rivlerësues/kontrollues për të tria kriteret e rivlerësimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re