Një valë studimesh të reja sugjerojnë se shumë më tepër njerëz kanë pasur koronavirusin pa asnjë simptomë, duke nxitur kështu shpresën se do të rezultojë shumë më pak vdekjeprurës nga sa mendohej fillimisht.

Ndërsa ky është qartazi një lajm i mirë, do të thotë gjithashtu se është e pamundur të dihet se kush mund të jetë në stadin ngjitës të sëmundjes. Kjo ndërlikon vendimet në lidhje me kthimin në punë, në shkolla dhe në jetën normale.

Gjatë javës së kaluar, raportet për infeksione të heshtura kanë ardhur nga një shtëpi për të pastrehët në Boston, nga një aeroplanmbajtëse amerikane, nga gratë shtatzëna në një spital të Nju Jorkut, si dhe nga disa vende evropiane dhe nga Kalifornia.

Kreu i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se 25% e personave të infektuar mund të mos kenë simptoma. Zv.Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali John Hyten, mendon se mund të jetë deri në nivelin 60% – 70% në radhët e personelit ushtarak.

Asnjërës prej këtyre shifrave nuk mund t’iu besohet plotësisht sepse ato bazohen në testime të meta dhe të pamjaftueshme, tha Dr. Michael Mina nga Shkolla e Shëndetit Publik në Harvard.

Megjithatë, ato së bashku sugjerojnë se “thjesht kemi qenë shumë larg realitetit për sa i përket shifrave shumë më të mëdha” për vlerësimin e nivelit të infeksioneve totale, tha ai.

Në të gjithë botën, janë konfirmuar më shumë se 2.3 milionë infeksione dhe më shumë se 160 mijë vdekje. Virusi ka shkaktuar dëme pothuajse të pashembullta ekonomike dhe sociale që kur u njoftua ekzistenca e tij në fillim të janarit.

Rastet e pakapshme

Bazuar në rastet e njohura, zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se virusi zakonisht shkakton sëmundje të butë ose të moderuar si gripi. Tani po shtohen të dhënat se një numër i konsiderueshëm i njerëzve mund të mos kenë fare simptoma.

Shkencëtarët në Islandë kontrolluan 6% të popullsisë së saj për të parë se sa prej tyre kishin infeksione të pazbuluara më parë dhe zbuluan se rreth 0.7% dolën pozitivë. Kështu ndodhi edhe me 13% të një grupi tjetër, në rrezik më të lartë për shkak të udhëtimeve së fundmi ose ekspozimit ndaj dikujt të sëmurë.

Në bordin e aeroplanmbajtëses USS Theodore Roosevelt, ku një anëtar i ekuipazhit vdiq nga virusi, “numrat e përafërt tregojnë se 40 përqind janë simptomatikë”, tha Nënadmirali Phillip Saëyer, i cili është zëvendës komandant i operacioneve detare. Raporti mund të ndryshojë nëse më shumë ushtarakë i shfaqin simptomat më vonë, paralajmëroi ai. Në Nju Jork, një spital testoi gjatë një periudhe dy-javore të gjitha gratë shtatzëna që shtroheshin për të lindur.

Gati 14% e atyre që arritën pa simptoma të koronavirusit rezultoi se ishin të infektuara. Nga 33 raste pozitive, 29 nuk kishin simptoma kur u testuan, megjithëse disa i zhvilluan ato më vonë.

Më parë, testet mbi pasagjerët dhe ekuipazhin nga anija lundruese Princesha Diamond zbuluan se gati gjysma e atyre që rezultuan pozitivë nga testimi, nuk kishin simptoma në atë kohë. Studiuesit vlerësojnë se 18% e të infektuarve nuk zhvilluan kurrë ndonjë simptomë.

Metodat e testimit me të meta

Këto studime përdorën teste që kërkojnë për pjesëza të virusit nga tamponët e grykës dhe hundëve, teste të cilëve mund t’u shpëtojnë raste. Dikush mund të dalë negativ një ditë nëse nuk ka shumë virus për t’u zbuluar dhe ditën pasuese mund të rezultojë pozitiv. Simptomat gjithashtu mund të mos shfaqen në momentin e testimit, por paraqiten më vonë. Një studim japonez zbuloi se më shumë se gjysma e atyre që nuk kishin simptoma kur rezultuan pozitivë në testim, më vonë u ndjenë të sëmurë.

Përgjigje më të mira mund të vijnë nga testet më të reja që kontrollojnë gjakun për antitrupat, substancat që prodhon sistemi imunitar për të luftuar virusin. Por edhe saktësia e tyre gjithashtu mbetet për t’u parë.

Të premten, studiuesit raportuan rezultate nga testet e antitrupave në 3.300 njerëz në Santa Clara të Kalifornisë: Midis 1.5% dhe 2.8% janë infektuar, thanë ata. Kjo do të thotë 48,000 deri 81,000 raste në këtë konte – mbi 50 herë më shumë se numri që janë konfirmuar.

Studimi nuk është botuar ose shqyrtuar zyrtarisht, por disa shkencëtarë shpejtuan ta vënë në pikëpyetje. Pjesëmarrësit ishin rekrutuar përmes reklamave në Facebook, të cilat do të tërhiqnin shumë njerëz që mund të jenë pozitivë, që kanë simptoma dhe që dëshirojnë të dinë nëse koronavirusi ishte arsyeja. Gjithashtu, disa lagje kishin më shumë pjesëmarrës sesa të tjerët, dhe “vatrat e nxehta” brenda qarkut mund të kenë bërë që infeksionet të duken më të zakonshme sesa ato gjetkë.

Anijet, repartet e maternitetit dhe një konte e vetme gjithashtu nuk japin të dhëna që mund të përdoren për të përgjithësuar rreth asaj që po ndodh diku tjetër. Dhe shumë nga shifrat kanë ardhur nga të dhënat e mbledhura në një moment specifik dhe jo nga hulumtime të shtrira në kohë mbi popullsinë më të gjerë.

Hapat e ardhshëm

Testimi i antitrupave në veçanti duhet të bëhet “me një qasje të paanshme” ndaj grupeve të njerëzve që janë përfaqësues të rrethanave gjeografike, sociale, racore dhe kushteve të tjera, tha Dr. Mina.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe entitete të tjera planifikojnë të zhvillojnë studime të tilla. Ato mund të çojnë në hartimin e udhëzimeve të shëndetit publik, për rikthimin në jetën normale për njerëzit në zona të caktuara.

Nëse infeksionet janë më të përhapura nga sa perceptohej më parë, është e mundur që më shumë njerëz të kenë zhvilluar njëfarë niveli imuniteti ndaj virusit. Kjo mund të pengojë përhapjen, përmes asaj që quhet imuniteti i tufës. Por, shkencëtarët paralajmërojnë se ka ende shumë për të mësuar nëse sëmundjet e buta mund të krijojnë imunitet dhe sa kohë mund të zgjasë ai.

Me siguri do të kalojnë muaj përpara se të jenë bërë testime të mjaftueshme të besueshme për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe të tjerave, si p.sh. sa të përhapura kanë qenë infeksionet dhe shkallën e vdekshmërisë së vërtetë të virusit, e cila vetëm është hamendësuar deri më tani.

“Nëse ata e kanë parë të gjithë virusin më parë, atëherë ndoshta mund të relaksohen pak në atë lagje” dhe të lehtësojnë distancimin fizik, tha Dr. Mina. “Ne nuk jemi gjëkundi ende” në testimin e antitrupave, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re