Detaje të reja dalin nga operacioni me urdhër të SPAK në Berat ku agjentë të BKH-së dhe oficerë policie të shtetit belg kryen kontrolle mbrëmjen e së martës në 4 banesa në Kuçovë.
Kontrollet kanë ushtruar në lagjen “11 Janari” dhe “1 Maji”, në zbatim të një letërporosie të autoriteteve belge.
Fillimisht kontrollet u ushtruan në 3 familje me mbiemër Zeneli (2 vëllezër dhe një kushëri), por nuk u gjet asgjë e kundërligjshme.
Më pas është ushtruar kontroll në familjen e shtetasit Hyda Vila në lagjen “11 Janari”, ku u gjetën dhe sekuestruan 1 kartë identiteti greke, 1 leje drejtimi për automjet greke, të dyshuara false, si dhe 1 elektroshok dhe disa fishekë arme gjahu.
33-vjeçari Hyda Vila u arrestua dhe materialet procedurale ndaj tij i’u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme hetimore.
Burime konfirmojnë se letërporositë e mbërritura nga autoritetet belge për këta shtetas kishin për synim verifikimin e pasurive të tyre (të luajtshme dhe të paluajtshme). Ndërsa kontrollet në banesa për gjetjen e sendeve të kundraligjshme apo shuma parash të përfituara nga aktivitetet kriminale, pasi në shtetin belg dyshohet se kanë ushtruar aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike.