TIRANE- Llogari bankare në vlerën e 1.5 milionë eurove janë sekuestruar ditën e sotme, pasi dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal. Speciliastet për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas hetimit, kanë bërë sekuestrimin e aseteve të një shoqërie me objekt veprimtarie në fushën e tregtisë ndërkombëtare.

Mësohet se kjo shoqëri, e themeluar në Shqipëri nga një shtetas italian me precedentë penalë, ka përfituar për një periudhë të shkurtër kohore sasi të konsiderueshme në valutë euro nga shoqëri të huaja dhe një pjesë të tyre ndërmjet transfertave i ka transferuar në vende të ndryshme si Hong Kong, Kinë dhe Itali.

INFORMACIONI I POLICISESpecialistët për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të Procedimit Penal Nr.5137 të vitit 2018 të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në bazë të Vendimit Nr. 3422 të datës 30.06.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bënë sekuestrimin e llogarive bankare, gjendjeve në to, si dhe aseteve në vlerën:

– 1. 5 milionë euro (të një shoqërie me objekt veprimtarie në fushën e tregtisë ndërkombëtare).

Kjo shoqëri e krijuar në vendin tonë nga shtetasi i huaj italian S.L., (me precedentë të ndryshëm penal në Itali për deklarata mashtruese dhe krime në fushën e tatimeve) ka përfituar për një periudhë të shkurtër kohore sasi të konsiderueshme në valutë euro nga shoqëri të huaja dhe një pjesë të tyre ndërmjet transfertave i ka transferuar në vende të ndryshme si Hong Kong, Kinë dhe Itali.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re