Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion ka vendosur të lërë në burg pedagogun e universitetit Fan Noli në Korçë, Alket Dino.

Ai dyshohet se merrte para nga studentët në këmbim të notave kaluese.

Në burg është lënë edhe Xhevi Dervishi, i cili dyshohet se bënte rolin e sekserit mes tij dhe studentëve që jepnin ryshfet për të marrë notë kaluese.

“Abc News” raporton se në dosje janë zbardhur përgjimet telefonike dhe ambientale ku të dyshuarit kanë komunikuar me njëri-tjetrin.

Sipas dosjes në momentin që sekseri merrte paratë nga studentët, pedagogu bënte ndryshimet e notës.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe provimet e studentëve ku ka rezultuar se ata që jepnin përgjigje pa dhënë një ryshfet nuk merrnin notë kaluese.

Dyshohet se në sezonin e vjeshtës ai kishte kaluar vetëm pesë studentë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re