Dje dolën para gjykatës për njohjen me masën e sigurisë të rinjtë që u arrestuan me pakon njëkilogramshe të kokainës në makinë.

Bashkë me ta, para Gjykatës së Tiranës doli edhe efektivi i Forcës Operacioniale, Ervis Shkurta. Ky i fundit ishte në sallën e gjyqit bashkë me dy të rinjtë që shoqëronin Enea Sulejmanin natën e ngjarjes në Tiranë, teksa u përplasen me policinë dhe ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura nga policia dhe prokuroria.

Ai ka mohuar të jetë ‘Visi’ që ka dalë në telefonin e njërit nga të rinjtë e arrestuar në hyrje të Rrugës së Kavajës. Po ashtu, edhe Igli Begaj dhe Shkëlqim Ostreni nuk kanë pranuar akuzat dhe madje kanë mohuar të kishin dijeni mbi pakon që mbante Enea në makinë. Për pasojë, gjykata i ka dhënë dy muaj kohë prokurorisë të gjejë provat e mjaftueshme për efektivin e policisë si dhe dy miqtë e drejtorit të Transportit Ndërqytetas, ndërkohë që ky i fundit e mësoi masën e sigurisë në spital, aty ku po kurohet për shkak se u plagos nga një efektiv i antidrogës natën e operacionit.

MASA

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat për 4 të dyshuarit për trafikim të 1 kg kokainë mes tyre edhe efektivin e operacionales Ervis Shkurta. Vetëm për Enea Sulejmanin, kreu i Transportit Ndërqytetas, gjykata caktoi masën “burg pa afat”, ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë Igli Begaj, Shkëlqim Osteni (dy pasagjerët në makinë me Sulejmanin) dhe efektivin Forcës së Posaçme Operacionale, Ervis Shkurta, u caktua masa me afat deri në 16 maj, kohë në të cilën prokuroria duhet të sjellë prova të tjera për të bindur gjykatën. Sulejmani nuk ishte i pranishëm në gjykatë, pasi vijon të jetë në Spitalin e Traumës. Ai u përfaqësua në gjykatë nga avokati i tij mbrojtës.

Të pranishëm në seancë Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, kanë kërkuar nga gjykata që të mos marrë parasysh dëshmitë paraprake që ata kanë dhënë në polici me pretendimin se kanë deklaruar pa pranin e avokatit dhe nën trysni. Ata kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me kokainën që ishte në makinën e Sulejmanit. Në të njëjtën linje me ta ka qenë edhe polici operacioneve, Ervis Shkurta. Ai ka mohuar përfshirjen në ngjarje duke pretenduar se nuk është ai poseduesi i numrit britanik me pseudonimin “Visi i Pazarit”, që kanë pretenduar të dyshuarit e tjerë. Po ashtu, ai ka kërkuar lirinë edhe për shkak të problemeve shëndetësore që ka një nga fëmijët e tij.

Gjithashtu edhe avokati mbrojtës i efektivit Ervis Shkurta ka pretenduar se nga raportet e policisë nuk del që të përmendet emri i efektivit. Ndërkohë prokuroria ka kërkuar që t’i lërë në qeli duke argumentuar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e arsyeshëm.

HETIMET

Sipas prokurorisë, gjatë hetimit dymujore janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit, si blerjet e stimuluara dhe përgjimet. Aksioni i policisë u zhvillua të enjten në mbrëmje dhe në pranga ra kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, Enea Sulejmani, i cili ishte shoferi i mjetit tip “Tiguan”. Ky i fundit tentoi të shtypte me makinë efektivët e policisë, teksa u afruan për t’i arrestuar gjatë operacionit antidrogë. Në këto kushte efektivët e policisë kanë qëlluar me armë zjarri duke plagosur në këmbë në kushtet e vetëmbrojtjes. Bashkë me Sulejmanin janë arrestuar edhe dy të rinj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj. Antidroga e Tiranës i kishte prej kohësh në ndjekje këta persona. Tre të rinjtë dyshohen si furnizues kokaine.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re