Një tjetër qendër masazhi si mbulim për veprimtarinë e prostitucionit është zbuluar në Tiranë.

Policia ka arrestuar menaxherin e një qendre masazhi, i cili dyshohet për shfrytëzim  prostitucioni dhe për mbajtje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, ndërsa në pranga ka rënë edhe një klient i qendrës.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.

Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.

Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale,”-njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.