Në një rrëfim prekës për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, Florina Cani, nëna e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka folur për dhimbjen e thellë që familja po përjeton dhe për mungesën e çdo reagimi institucional pas tragjedisë.
Sipas saj, ngjarja tragjike mund të jetë shkaktuar nga konflikte të moshës, ndjenja xhelozie apo përpjekje për t’u dukur më i fortë nga ana e autorit të krimit.
“Dyshoj se xhelozia apo ndonjë konflikt moshe, një mburrje për t’u dukur më i fortë, e çoi situatën deri në tragjedi. Martini ishte djalë i mirë, i hapur dhe i përzemërt me të gjithë. Besoj se pikërisht kjo natyrë e tij ka krijuar përplasje”, tha Cani.
Ajo u shpreh e zhgënjyer edhe nga qëndrimi i shkollës ku Martini ka qenë nxënës për nëntë vite me radhë.
“Shkolla nuk ka reaguar kurrë. Kanë kaluar muaj dhe askush nuk na ka kontaktuar, nuk ka ardhur asnjë për të shprehur qoftë edhe një fjalë ngushëllimi. Dhe kjo na ka lënduar shumë”, shtoi ajo.
Nëna e Martin Canit ndau gjithashtu emocionet për një iniciativë familjare të ndërmarrë në kujtim të djalit të tyre, ngritjen e një muzeu të vogël në shtëpi, për të ruajtur çdo kujtim të tij të gjallë.
“Ishte ideja e bashkëshortit tim. Unë nuk mund të perceptoja asgjë pas gjithë asaj që ndodhi. E vendosëm ta bënim bashkë, si një mënyrë për ta pasur Martinin gjithmonë pranë, sidomos edhe për vëllain e tij, Henrin. Jeta është një sprovë shumë e rëndë”, rrëfeu Cani.