Një total prej 357 të dyshuarish janë arrestuar në të gjithë Turqinë si pjesë e një operacioni kundër organizatës terroriste ISIS, tha të martën ministri i brendshëm i vendit, raportoi Anadolu.
Operacionet e njëkohshme antiterroriste të kryera në 21 provinca rezultuan në arrestimin e të dyshuarve, konfirmoi Ali Yerlikaya në rrjetin social turk NSosyal.
Ai theksoi se operacionet u kryen nga njësitë e policisë provinciale në koordinim me zyrat e kryeprokurorëve, si dhe departamentet e policisë kundër terrorizmit dhe inteligjencës, duke theksuar se Turqia nuk do të tregojë asnjë tolerancë ndaj terrorizmit.
Më parë, Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit tha se 110 të dyshuar u arrestuan në qytet. Dyshohet se 41 persona janë të lidhur me terroristët e përfshirë në incidentin terrorist të djeshëm në provincën Yalova dhe se ata po planifikonin sulme të ngjashme në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri.
Ndërkohë, një deklaratë nga Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë tha se janë lëshuar urdhër-arreste për 17 anëtarë të dyshuar të ISIS-it, përfshirë 11 shtetas të huaj.
Të dyshuarit akuzohen për përkatësi në një organizatë terroriste dhe mbajtjen e kontakteve me zonat e luftës, thuhet në deklaratë.
Shtohet se Departamenti i Hetimit të Krimeve të Terrorizmit i identifikoi të dyshuarit bazuar në analizat e materialeve dixhitale të sekuestruara gjatë hetimeve të mëparshme në lidhje me ISIS-in.
Kujtojmë se ISIS u shfaq gjatë luftës në Siri dhe ç’prej atëherë është parë me sy konspirativ, si një krijesë për të dëmtuar imazhin e Islamit e muslimanëve e aspak si një grupim musliman. /tesheshi.com/
