Qendra Për të Drejtat në Punë

DEKLARATË PUBLIKE
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapat e nevojshme për ti dhënë zgjidhje afatgjatë problematikës së naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit.
Greva e urisë së para një viti u menaxhua prej qeverisë me zgjidhje të improvizuara. E ashtëquajtura “pagë e luftës” që ju dha këtyre punëtorëve rezultoi të ishte një manovër për të ndërprerë grevën e ulur koston politike në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe jo një platformë e qartë për të zgjidhur problematikën sociale të shkaktuar nga ndërprerja e punës në rafineri.
Fundi i muajit Tetor rezulton me skadimin e marrëveshjes mes naftëtarëve dhe qeverisë për marrjen e pagesës prej 40,000 lekë në muaj. Që nga Nëntori, mijëra naftëtarë dhe familjet e tyre do të mbeten pa të ardhurat e nevojshme për të siguruar jetesën e përditshme.
Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë gjatë këtij viti për të garantuar rikthimin në punë të rafinerisë së Ballshit dhe diçka e tillë nuk duket të ketë gjasa të ndodhë edhe në muajt në vazhdim.
Kriza ekonomike e sociale e këtyre punëtorëve bëhet edhe më e thellë dhe alarmante duke marrë për bazë faktin se me të ardhurat nga paga e naftëtarit, ata mbajnë familjet.
Pavarësisht premtimeve të shumta, prej më shumë se 10 vitesh tashmë rafineria bie vazhdimisht në duart e subjekteve spekulante, të cilat marrin nga qeveria të drejtat e ushtrimit të aktivitetit, realizojnë fitime të jashtëzakonshme dhe largohen duke lënë jo vetëm pa punë mijëra naftëtarë, por edhe duke mos u dhënë atyre as pagat e prapambetura.
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) garanton naftëtarët e Ballshit, se sikurse ka qenë në vijimësi, do të vazhdojë të angazhohet fuqimisht për të ndihmuar ata në kërkimin e të drejtës së tyre të mohuar.
🙏Ju ftojmë të na bashkoheni për ti dhënë më shumë zë kauzës, duke kontribuar me shpërndarjen e kësaj deklarate.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re