Ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare si pasojë e Covid 19 piktori dhe restauratori i njohur Mustafa Arapi, i cili prej disa ditësh gjendej i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Lajmi bëhet i ditur nga e bija, studiesja Dorina Arapi, e cila gjatë shtrimit në spital i bëri apel kryeministrit Edi Rama dhe ministres se kulturës Elva Margariti për kujdes ndaj këtij personaliteti të artit e kulturës shqiptare. Por pavarësisht thirrjeve të saj nuk pati asnjë reagim nga ana e institucioneve shqiptare, ndërsa prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, Arapi nuk jeton më.

”Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta. Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba! Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë! Të duam përjetësisht”, shkruan e bija e të ndjerit në rrjetet sociale pas lajmit të hidhur për familjen e saj.

Arapi është lindur dhe rritur në Tiranë, ku më pas u diplomua në Unversitetin e Arteve (Akademia e Arteve) në degën e pikturës në vitin 1979. Pas studimeve ka punuar si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Për disa vite ka qenë pedagog në Akademi të Arteve. E më tej, 1993-2006 ka qenë shef i Departamentit të Punëve të në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 40 vite ka restauruar Onufrët, Qipërjotët, Zografët, kisha afreske, ikona, banesa tradicionale etj.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko