Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka firmosur urdhërin ekzekutiv, për të rikthyer SHBA-të në Marrëveshjen e Parisit për Klimën.
Ish presidenti Trump vendosi që SHBA të tërhiqej nga kjo marrëveshje e rëndësishme globale, e arritur në Paris në vitin 2015, për të ndalur ndryshime klimaterike dhe ngrohjen globale.
Rikthimi në këtë marrëveshje, ishte një premtim i Biden gjatë fushatës dhe është një nga urdhërat e parë ekzekutivë të firmosur prej tij, që në momentin e parë kur u ul në zyrën ovale.
Biden ka firmosur gjithashtu një urdhër ekzekutiv, që qytetarët të mbajnë maska, në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Ky urdhër nuk ka nevojë për kalimin e legjislacionit në Kongres.
Zyrtarët e ekipit të tranzicionit gjithashtu thanë se Presidenti Biden do të urdhërojë agjencitë federale të rishikojnë politikat që përforcojnë racizmin në sistem, do të kërkojë nga qeveria federale të mos bëjë diskriminim bazuar në identitetin gjinor ose orientimin seksual dhe do të revokojë një urdhër të ish-presidentit Trump për të përjashtuar jo-shtetasit nga censusi në Shtetet e Bashkuara.
I pyetur lidhur me letrën që ish presidenti Trump ka lënë në zyrën ovale për të, Biden tha se nuk do të japë detaje pasi letra ishte private, por u shpreh se ajo ishte mjaft “bujare”.