Nga: Isa Bajrami

Një mik po të më shkruante tani nga Whatsappi dhe të më thoshte se nesër në mëngjes dua ta pimë kafen bashkë sepse kam lexuar një shkrim interesant në lidhje me përplasjet ndërmjet fesë dhe filozofisë, unë do i përgjigjësha me sarkazëm duke i thënë se, “tani që është duke ardhur pranvera, feja me poezinë janë më të njemëlta ndërmjet tyre sesa është filozofia me fenë. Tani filozofia preferon më shumë të heshtë”. Por gjithsesi, patjetër, flasim nesër edhe për temën që ceke ti – do ti thosha. Duke parë ngazëllimin e mikut tim për ta shkoqitur këtë temë, të nesërmen, menjëherë do të fillonim shtjellimin. Por ç’e do që, pa u zgjatur shumë, jam i sigurtë që biseda do ti kthehej debateve politike. Ne të gjithë merremi me politikë, por kur revoltohemi ndaj padrejtësive që na bëhen, jemi “apolitik”. Gjithsesi, gjatë bisedës me mikun tim, rreth tavolinës që do ishim ulur, tavolina me shum mundësi s’do kthehej në një sofër të bereqetshme, por po të ishte e drunjtë, do kthehej në një pemë me degë të ngatërruara, prej erërave të forta që do shkaktonin fjalët gjatë debatit. Po të ishte e hekurt tavolina, do kthehej në hekurishte. A nuk e ktheu një mëndje e çmendur politike një seli partie, në një mini metalurgjik? Nga ku kuptuam që, demokracia këtu në Shqipëri është një mutacion i komunizmit. A nuk ishte një defiçit i panevojshëm ekonomik për vendin tonë Metalurgjiku? Po blindimi i një selie partie në kohët e sotme, a nuk është një “defiçit” i demokracisë? Çdo kush në fakt kërkon të shoh diellin ideal në politikë, mirëpo rrugicave të Tiranës, ka hije të ftohta të shkaktuara nga pallatet e larta. Tirana ngjan pak a shumë si një tavolinë e kthyer me kokëposhtë. Një personalitet intelektual dhe njeri brilant i këtij qyteti, diku në një komentin e tij në Facebook kishte shkruar: “Në kohë të Dullës, na nxirrnin në kthesë të rrugës që të shihnim drejtësinë e vijës së Partisë. Kurse këta po na flasin rrugicave që të shohim dhe trashësinë e vijës së Partisë”. Fjalën këtu e kishte për një të vetëquajtur lider partiak, që tashmë është veç një ish-kryetar.

Por në fakt ky koment vlen për të gjitha rrugicat e Tiranës. Ku shihet vija vertikale e Partisë (pallatet e larta). Vertikalitete faraonike. Po përtej gjithë egërsisë së politikës së Tiranës, pranvera është duke ardhur. Është duke ardhur si një mbretëreshë e fisshme, ashtu sikurse i takon të jetë. Koha ka filluar të ngrohet. Nëse në tavolinat jashtë lokalit rri ulur gjatë, ka mundësi të ngrohet dhe uji në shishen plastike. Uji dhe kafeja, të dyja këto janë të pandashme. Po qe njëra, duhet të jetë patjetër edhe tjetra. Për ju nuk e di, por unë ngjashmëri të njëjtë e shoh edhe diku tjetër. E shoh tek një gur dhe tek një lule që ka çelur pranë tij. Veçse një guri, kush e di sa i është dashur të presë që pranë tij të çel një lule. Ka pritur pa u ankuar. Ka duruar shi e diell. Pa ditur historinë e gurit dhe të lules çelur pranë tij, ç’mund ti tregosh të dashurës me të cilën je ulur në kafe në bisedë e sipër për dashurinë? Para se t’i japësh fjalën që do sakrifikosh shumë për lumturinë e saj në të ardhmen, duhet të kesh ç’t’i thuash se ç’ke bërë për të para se ta kesh pranë. Pranvera është aq zemër gjërë dhe e mirë, saqë para se të vijë plotësisht, së pari dërgon lule mimoza. I ngjan asaj së dashurës që e di që i dashuri i saj s’po kalon ditë të mira finaciarisht, andaj i jep ajo para, që t’i blejë po asaj dhuratë dhe ai të mos ndihet keq para familjes apo shoqeve të saja. Kështu dhe pranvera, në çdo qytet ju mbush duart me lule mimoze njerëzve. Po mesa duket poetët, pak kanë folur për lulen mimozë, apo mos ndoshta këto lule i ngjajnë dashurisë fjalë pak? Kur është duke ardhur pranvera ka dhe halle e telashe, nuk është aq bukur sa duket. Me ngrohjen e kohës fillon e thahet lagështira e hyrjeve në katet e para. Ndërsa për komshinjtë më të kamur të katëve më lart, fillon telashi i ndërrimit të perdeve. Lagështira është hall, ndërrimi perdeve është telash. Tjetër është halli, tjetër është telashi. Kur koha është duke u ngrohur gjatë ardhjes së pranverës, sythet fillojnë e çelin si sytë e sinqertë që na japin siguri dhe besueshmëri. Por në njëjtën kohë fillojnë e dalin gjarpërinjtë nga nëntoka, duke na frikësuar pak si shumë. E çuditshme kjo jetë, e mira dhe e keqja, gjithmonë bashkë.

Mos m’u pezmatoni që i referohem dhe që e dua kaq shumë natyrën, juve ndoshta më shumë ju pëlqen përqafimi i ekskavatorëve dhe vinçave të lartë të cilët a nuk duken si krahë të stërmëdhenj që “përqafojnë” qytetin? Mirepo mua më pëlqen përqafimi i flladit pranveror. Unë më shumë preferoj të dukem si një mjek i moçëm, që ecën në natyrë për të gjetur lulet shëruese, sesa të mbaj në çantë ilaçe medicinale në këto kohë stresi e depresioni. I vetmi konflikt që do kem unë me të rinjtë kur të plakem, do të jetë konflikti që unë, gjithmon do jem duke dashuruar aromën e luleve të blirit, jo aromën e hashashit nëpër rrugët apo parqet e qytetit. S’kam pse të jem i bezdisshëm për ju kur flas kaq shumë për natyrën, kur ju nuk bezdiseni kur qeveria e korruptuar ju vendos taksa të larta padrejtësisht. Profeti Muhamed a.s thotë që: ” Dhe një buzëqeshje është sadaka”. Ju taksat i pranoni nga zori, ndërsa fjalët e mia mund ti pranoni vetëm nësë ndiheni në shpirt të izoluar prej betonizimit. E bukura arrihet me të bukurën! Kafe dhe ujë, gur dhe lule, pranverë dhe një muaj agjërimi!
Agjërim të mbarë dhe të pranuar!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re