Presidenti amerikan, Joe Biden, po vijon turin e tij në Lindjen e Mesme, në kërkim të rritjes së furnizimeve me naftë në tregjet globale dhe të sigurisë në rajon.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, pas Izraelit dhe Palestinës, po viziton dhe Arabinë Saudite. Biden u prit nga Princi i Kurorës Saudite, Mohmmed bin Salman, me të cilin u përshëndet duke prekur grushtin.
Presidenti amerikan është kritikuar ashpër për këtë vizitë të tij, pasi gjatë fushatës ka premtuar ta dënojë Princin e Kurorës, të cilin e ka akuzuar për përfshirje në vrasjen e opinionistit Xhamal Kashogi. Por, Biden është mbrojtur duke theksuar se nuk dëshiron që të prishë raportet me Mbretërinë Saudite.
Në këtë vizitë, kreu i Shtëpisë së Bardhë po kërkon të përmbushë dy synime: të bindë sauditët të pompojnë më shumë naftë për të zbutur krizën e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe të bindë Riadin të normalizojë raportet me Izraelin, duke krijuar një koalicion kundër Iranit, bashkë me vende të tjera të rajonit.
Burimi: Opinion.al
