Ky 16 maj shënon përvjetorin e radhës së zhdukjes së Ukshin Hotit, ndodhur afër fundit të luftës më 1999, në rrethana ende të pandriçuara.

Ukshin Hoti ishte një ideolog shumëpërmasor i mendimit kombëtar shqiptar, që edhe pse nuk përmendet apo citohet nga Kurti, mendohet që ky i fundit ta ketë patur referencë në formimin e vet politik.

Por është vërtet paradoksal fakti që Ukshin Hoti mungon pothuajse fare në ligjërimin politik kosovar.

“Filozofia politike e çështjes shqiptare” është kryevepra e tij që nuk dihet nëse është lexuar nga lidershipi kosovar aktual. Nëse do e kishin lexuar, shumë do i ishin referuar.

Ukshin Hoti u shfaq si mendimtar i çështjes kombëtare në vitet ’80, atëherë kur nisi dhe lëvizja studentore kosovare e ku u shfaq dhe Albin Kurti si aktivist i spikatur për Kosovën republikë.

Ukshin Hoti ka qenë madje edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës, ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Ai do arrestohej disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit, për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe, me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, duke u dënuar me 5 vjet burg.

Më 16 maj 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket pa lënë gjurmë, me gjasë nga policia serbe.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Në një lloj paraleleje, Ukshin Hoti është Adem Jashari i mendjes, por ndryshe nge heroi i pushkës, ky hero i penës e ka të mangët përmendjen, nderimin apo referimin si hero i Kosovës së lirë me fjalën si armë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re