Nga Neda Balluku

E dashur kamariere turke, lekët mi more që në fillim. Pagova një vit
kursime për të ardhur këtu, përse më pyet sa herë më sheh; çfarë mund të
të sjell?!

I dashur kuzhinier turk, lekët ja dhashë agjencisë në Shqipëri, i
futët në xhep, përse më pyet me cilat perime e preferoj supën për tim
bir?!

E dashur recepsioniste turke, e kisha ndarë mendjen të sillja fëmijët
këtu këtë vit, përse më buzëqesh sa herë kaloj nëpër holl?!

I dashur portier turk, mbase dhe vitin tjetër, do rikthehemi për të
pushuar këtu, përse më përshëndet sa herë hyj e dal nga dera?

I dashur asistent turk për plazhin, andej nga vij unë, ka familje që
nuk përballojnë dot as shtatë ditë pushime në Golem, ndaj nuk e vras
mendjen edhe nëse ti nuk do mi sillje peshqirët në çadër.

E dashur zonjë turke që dhomën ma kishe bërë të pastër dritë, edhe
nëse nuk do kishte qenë e tillë, unë do i kisha kaluar edhe një
rregullim vetë se ç’më gjeti, kështu që përse më pyet nëse është çdo gjë
në rregull me dhomën?

I dashur det, det këtu e det tek ne. Përse tek ti xixë e zhul tek ne?!

I dashur turist suedez, amerikan dhe rus, ti njeri je, si ne, ç’ne që
fëmijët e tu luajnë pa kurrëfarë paragjykimi dhe stereotipi me fëmijët e
mi?!

“Se nuk jemi shqiptarë, e dashur zonjë!”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re