Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ka shpallur Bashkimin Evropian një “projekt të dështuar” në formën e tij aktuale.

Partia politike euroskeptike ka miratuar programin e saj për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit të ardhshëm, në të cilin thotë se BE-ja ka “dështuar plotësisht” në të gjitha fushat e rëndësishme, përfshirë migracionin dhe politikën klimatike, dhe ka refuzuar euron si monedhë.

Partia megjithatë hoqi dorë nga kërkesa për daljen e Gjermanisë nga BE. Në vend të kësaj, AfD bën thirrje që BE të rithemelohet si një “federatë e kombeve evropiane”, raporton DPA.

Sipas programit elektoral, detyrat kryesore të federatës së re duhet të jenë mbrojtja e kufijve të jashtëm kundër migracionit, autonomia strategjike në politikën e sigurisë dhe ruajtja e “identiteteve të ndryshme” në Evropë.

Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja e AfD-së është rritur në 19 deri në 22 përqind.

Programi i miratuar të dielën në Magdeburg është më i moderuar ndaj BE-së sesa projekt-programi i qershorit, në të cilin AfD tha se do të kërkonte një “shpërbërje të rregullt të BE-së”.

Disa zyrtarë të AfD kanë shprehur më parë dëshirën që Gjermania të largohet tërësisht nga BE. Megjithatë, programi i ri thotë se AfD mbështet idenë e një “bashkësie evropiane të shteteve sovrane, demokratike”.

Partia ka finalizuar gjithashtu listën e saj me 35 kandidatë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të vitit të ardhshëm.

Maximilian Krah, anëtar i PE që nga viti 2019, u zgjodh fundjavën e kaluar si kandidati kryesor i AfD me 65.7 për qind të votave.

Anëtarët kryesorë të AfD folën të dielën kundër bashkëpunimit me bllokun kryesor konservator të opozitës në vend, Bashkimin Kristian Demokrat (CDU) të ish-kancelares Angela Merkel.

Kreu i CDU-së Friedrich Merz tha më parë se nuk do të kishte asnjë bashkëpunim as në nivel lokal midis Unionit të tij Kristian Demokrat dhe AfD-së, pasi sugjerimi i tij se ata mund të punonin së bashku tërhoqi kritika nga kolegët konservatorë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re