Batuta dhe të qeshura mes deputetëve në seancën plenare maratonë, e cila ka nisur që prej orës 10 të mëngjesit sot.
Deputetja socialiste Zegjine Çaushi nga foltorja hodhi akuza ndaj demokratit Klevis Balliu, duke i thënë atij “përveç se vjen nga një fis i bukur, vjen edhe nga një familje hajdutësh”.
Pjesë nga diskutimi.
Zegjine Çaushi: Dëgjova këtë bukuroshin që foli për administratën publike.
Klevis Balliu: E do numrin?
Çaushi: E si mund të dali këtu një bukurosh si ky që doli e të na flasë për administratën. Ti je i fundit që mund të dalësh e të flasësh për administratën. Ti je i fundit që mund të dalësh këtu e të flasësh për Infrastrukturën. Ti je i fundit që mund të flasësh për korrupsionin. Ti përveç se vjen nga fis i bukur, vjen nga një familje hajdutësh, hajdutësh të rrugëve madje, ndaj vjen këtu e çjerrësh e bërtet se kujton se të gjithë si ty ashtu bëjmë edhe ne.
Meqenë se në parlament kanë ardhur shume deputetë të rinj, më shtyu kurioziteti të googoloja të hulumtoja që ta di se me kë koleg kemi të bëjmë. Në 2007 sapo u sistemuat në këto karrige të uritur për pushtet, yt atë bashkë me tezen tuaj Blerina Agolli hapin një shoqëri që kishte një fat të ndritur, të merrte të gjitha fondet e qeverisë, sepse ishte sekretare e përgjithshme në ministrinë e Kulturës…. Tani i dashur bukurosh mund ta marrësh fjalën për replikë që të mësojë edhe Belindi edhe mund ta thuash.
Balliu: Që këtu mund të ktheja të njëjtën përgjigje që i ktheva shoqes tate, edhe ty mund ta ktheja përgjigjen e njëjtë, po ty nuk ka doktorë që të merr përsipër si doktorat që morën përsipër. Njerëzit që ti përmend, ti duhet të pyesësh një herë se kush janë dhe çfarë kanë bërë.

