Kryeministri Edi Rama, ka dhënë një intervistë për televizionin italian Rai 3, e cila do të transmetohet në episodin e dytë të dokumentarit për Shqipërinë.

Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës së tij për të ballafaquar sipas tij, faktet në sytë e audiencës së RAI3, lidhur me një investim të bërë në Shqipëri.

Kryeministri shprehet se para disa javësh televizioni italian bëri “një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politik italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tre mijë emigrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike të Tiranës”.

Postimi i Ramës

“VOGLIO BENE A GIORGIO MA VOGLIO DI PIU A LA VERITA”*
SONTE 20:00

“RAI3 Report” bëri para disa javësh një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politike italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tremijë migrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës,  duke cënuar imazhin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Dihet “lufta” që pasoi e që u bë temë e mediave italiane pas kundërvënies sime ndaj asaj llumnaje.

Drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës sime publike drejtuar atij personalisht, për të ballafaquar faktet në sytë e audiencës së RAI3. Ramë dakord, që përveç copave të intervistës së bërë në zyrën time, të cilat ata do t’i marrin e do t’i presin dhe qepin sipas skenarit të tyre (me qëllimin lehtësisht të lexueshëm të vazhdimit të përzierjes në të njëjtin kazan të sherrnajës politike italiane me llumin e eksportuar nga Tirana) intervista e pacensuruar do të publikohet e plotë njëkohësisht në rrjetet sociale të Report, si edhe këtu në këtë faqe.

Sonte në mbrëmje shikoni, dëgjoni e gjykoni vetë, unë s’po bëj asnjë koment. Nesër flasim, këtu jemi prapë😉

*Kujdes e kam fjalën për Giorgio-n, gazetarin në foto, jo për Giorgia-n, shënjestrën kryesore të “RAI3 Report”🤷🏻‍♂️

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re