Tre persona dyshohet se kanë marrë pjesë në atentatin e sotëm ndaj Xhelal Reçit në Laç. Burime bëjnë me dije se 2 kanë zbritur nga automjeti ndërsa shoferi ka qëndruar në makinë.

Dyshohet se autorët e kanë patur në survejim viktimën dhe kanë gjetur momentin e përshtatshëm për ta ekzekutuar në një rrugicë të ngushtë pranë biznesit të tij.

Në vendin e ngjarjes thonë burime jo zyrtare, nuk është gjetur asnjë gëzhojë ç’ka ngre dyshime se autorët e kanë pastruar vendin e ngjarjes përpara se të largohen, ndërsa viktima është qëlluar me 2 plumba. Dyshohet për vrasës profesionist.

Mjeti i djegur që dyshohet të jetë përdorur nga autorët është një “Toyota Yaris” që rezulton e vjedhur, ndërsa i ishin ndryshuar edhe targat të cilat ishin po të vjedhura italiane. Vetë viktima kishte në pronësi një butik rrobash dhe një bar kafe, ndërsa vëllezërit Reçi janë të njohur në Kurbin për aktivitetet tregtare me të cilat merren.

Autorët kanë përdorur rrugë dytësore për tu larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kanë lënë mjetin pasi i kanë vënë flakën në Milot dhe janë larguar dyshohet drejt zonave të thella të veriut të vendit.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re