Shqiptari Adem Nikeziq, i cili shkaktoi pak ditë më parë një aksident tragjik që i mori jetën të fejuarës së tij shtatzënë, ka dalë dje para gjykatës në SHBA ku është njohur dhe me lajmin tragjik.

 

Teksa drejtonte mjetin e tij në gjendje të dehur, 30-vjeçari u përplas me bordurat anësore të rrugës, ku për pasojë Adriana Sylmetaj, në muajin e 7 të shtatzënisë ndërroi jetë bashkë me foshnjën në bark. I riu i cili u dërgua me një karrocë me rrota në spital mësoi në sallën e gjyqit se e fejuara kishte ndërruar jetë. Ngjarja tragjike ndodhi në Staten Island në SHBA.

 

Ka qenë avokati i tij, i cili ia ka komunikuar lajmin e kobshëm pak para seancës gjyqësore.

 

30-vjeçari shpërtheu në lot në mënyrë të pakontrolluar në sallë.

 

“Askush nuk i tha atij se e fejuara dhe foshnja e tij kishin vdekur,” tha avokati i Nikeziqit, Mark Fonte, për The Post jashtë gjykatës.

 

“Ai e mori vesh disa minuta më parë, pak para se të dilte në sallën e gjyqit. Kur i thashë, ai u shpërtheu duke qarë”, pohoi avokati.

 

Sipas një kallëzimi penal të paraqitur në këtë rast, Nikeziq u tha policëve në vendngjarje se një shofer tjetër ia preu rrugën para përplasjes fatale.

 

Por prokurorët thanë se Nikeziq po ecte me shpejtësi dhe po kalonte nëpër trafik në bulevardin Hylan rreth orës 4:45 të mëngjesit kur humbi kontrollin e makinës dhe e përplasi atë në një pengesë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re