Përfaqësuesi i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet nga Kuvendi Kombëtar i Serbisë, Vladimir Gjukanoviç, po shkakton një ortek komentesh pas një postimi në rrjetin social Tëitter në të cilin shpalli “denazifikimin e Ballkanit”.

“Gjithçka më duket se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit. Do të doja të gaboja”.

Siç dihet tashmë, “denazifikimi” është termi i përdorur nga administrata ruse kur përpiqet të justifikojë pushtimin e Ukrainës fqinje.

Dy orë pas këtij njoftimi dhe reagimeve të shumta, Gjukanoviç i SNS-së vazhdoi me ton edhe më të drejtpërdrejtë.

 “Uaa, bota e dy botëve u mërzit kur shkruajta se Serbia do të duhet të inicojë denazifikimin e Ballkanit. E kuptoj që, ata gjithmonë kanë përkrahur çdo armik serb, që nga ustashët, ballistët, haxhirët… Ishte fakt që ata ishin nazistë…”

“Në vend që të jenë të lumtur që Serbia ka kapacitetin t’i ndihmojë në denazifikimin, ata rebelohen kundër saj. Gjithsesi, denazifikimi është diçka që është e nevojshme dhe edukative dhe falë Zotit Serbia do t’i ndihmojë të gjithëve që ta dëbojnë nazizmin”, tha gjatë ditës deputeti serb.

Më pas ai ka reaguar ndaj reagimeve të vendeve të tjera të Ballkanit:

“Denazifikimi është procesi i zhdukjes së nazizmit si ideologji nga shoqëria. Serbët, si viktimat më të mëdha të nazizmit, ndryshe nga fqinjët tanë që i pritën nazistët si çlirimtarë, kanë kapacitetin për të ndihmuar këdo që dëshiron në denazifikimin. Mendoj se kjo është diçka normale”, shkruan ai, duke iu referuar kroatëve.

“Unë i kuptoj fqinjët tanë, sepse ata nuk mund të shpëtojnë nga fakti historik se ata ishin në anën e nazistëve. Prandaj procesi i denazifikimit është i dhimbshëm për ta. Serbia është gjithmonë këtu për të ndihmuar në këtë proces”.

Një nga ata që ka reaguar ndaj deklaratave të Gjukanoviçit është edhe opozitari Balsha Bozhoviç, i cili ka thënë se qytetarët e Serbisë janë për paqe.

“Hiqni sa më shpejt këtë regjim luftarak dhe siguroni paqen, prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen evropiane të Serbisë. Kurrë më vëlla me vëlla, fqinj me fqinj! Regjimi i Vuçiçit duhet t’i dorëzohet historisë urgjentisht.”

Gjukanoviç iu përgjigj: “Pse Balsha është kundër zhdukjes së nazizmit? Pse është kundër denazifikimit? Jam i shokuar nëse Balsha mbështet ustashët, ballistët, haxhirët… nuk dua ta besoj këtë”.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re