Dhjetra njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi raketat izraelite goditën një kamp për palestinezët e zhvendosur në Rafah në Rripin jugor të Gazës, i cili ishte caktuar si “zonë e sigurtë”.

Agjencia e lajmeve Wafa, duke cituar Shoqërinë e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS), tha se shumë nga ata që vdiqën u “dogjën të gjallë” brenda tendave të tyre në zonën Tal as-Sulltan.

Numri i të vdekurve është diku 40, ndërsa agjencia e lajmeve Reuters citoi Ashraf al-Qudra, zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, duke thënë se 35 njerëz ishin vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Dëshmitarët u thanë mediave lokale se të paktën tetë raketa kishin goditur kampin të dielën rreth orës 20:45 me orën lokale (19:45 me orën e Shqipërisë).

Agjencia e kontrollit të fakteve Sanad e Al Jazeeras tha se sulmet kishin në shënjestër kampin Brix në perëndim të qytetit të Rafah. Një fotografi ajrore e bërë më 24 maj tregon qindra tenda në zonë, e cila ishte afër një magazine të UNRWA.

Sulmi izraelit pasoi sulmin e parë me raketa të Hamasit në qytetin izraelit të Tel Avivit në disa muaj.

Izraeli tha se tetë raketat e Hamasit u lëshuan nga zona e Rafahut, ku forcat e tij kanë vazhduar një sulm tokësor pavarësisht një urdhri nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) për të ndaluar operacionet atje.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore goditën një kompleks të Hamasit në Rafah dhe se sulmi u krye me “municione të sakta dhe duke u bazuar në informacione të saktë të inteligjencës”.

Sulmi vrau shefin e shtabit të Hamasit për Bregun Perëndimor dhe një zyrtar tjetër të lartë pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj izraelitëve, tha ajo, duke shtuar se ishte “në dijeni” të raportimeve se “disa civilë në zonë u dëmtuan” dhe se tha se incidenti ishte “duke u shqyrtuar”.

Sulmi shkaktoi një zjarr masiv, të cilin ekipet e Mbrojtjes Civile Palestineze arritën ta shuanin pas rreth 45 minutash.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se spitali i tij fushor në Rafah po merrte një fluks viktimash dhe se spitalet e tjera gjithashtu po merrnin një numër të madh pacientësh.

“Sulmet ajrore dogjën çadrat, tendat po shkrihen bashkë me trupat e njerëzve brenda tyre,” tha një nga banorët që mbërriti në spitalin e Kuvajtit në Rafah sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Mjekët pa Kufij, të njohur me shkurtesën MSF, thanë se “dhjetëra të plagosur” si dhe më shumë se 15 nga të vdekurit ishin sjellë në një institucion që ata mbështesin.

“Ne jemi të tmerruar nga kjo ngjarje vdekjeprurëse, e cila tregon edhe një herë se asnjlë vend nuk është i sigurt”, shkroi grupi në platformën e mediave sociale X, duke përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm. /Tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re