Është shënuar viktima e dytë brenda ditës në vendin tonë nga koronavirusi duke e çuar në 19 numrin e personave që kanë humbur jetën. Mbrëmjen e kësaj të shtune ka humbur jetën tek spitali Infektiv një 84 vjeçare me inicialet S.D, e shtruar prej 4 ditësh. Ndër të tjera Ministria bën me dije se e moshuara kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese: artrit reumatoid, fibrillation arterial dhe hipertension.

Ndërkohë deri më tani në vendin tonë janë konfirmuar 333 persona të infektuar me Covid 19 dhe fatmirësisht 99 janë shëruar.

Njoftimi i plotë:

Në spitalin infektiv ka ndërruar jetë nga infarkti kardiak një paciente 84-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID19. Pacientja me inicialet S.D, e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese: artrit reumatoid, fibrillation arterial dhe hipertension. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë, pacientja nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re