E hëna është shpallur ditë zie kombëtare. Vendimi është marrë nga ana e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e cila ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni (për shkak të Lojërave Olimpike) dhe nesër do të udhëtojë në Kosovë.

Kjo e dielë me të vërtetë ka qenë një ditë tragjike për shqiptarët kudo ndodhen, e veçanërisht për ato familje kosovare që humbën të afërmit e tyre në aksidentin e ndodhur në mëngjes në Kroaci. Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, ka folur djali i shoferit që ndërroi jetë si pasojë e aksidentit. Adhurim Sylmetaj (i biri i Naser Sylmetajt), nga fshati Gërçinë në afërsi të Gjakovës, tha se për herë të fundit më babanë ka folur kur i ati ka kaluar kufirin Gjermani- Austri.

“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, menjëherë, veç atë mbrëmje kanë pushuar, dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë.

Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kaluar kufirin Gjermani-Austri”, ka thënë Sylmetaj.

Rrëfimi i një prej pasagjereve që ishte në autobus

Një grua rreth të 50-tave e cila ndodhej në autobusin ku humbën jetën 10 persona, u shpreh për median kroate se çfarë pa në momentet e aksidentit. Ajo tregoi se po vinte në Kosovë pas një kohe të gjatë dhe se ka qenë në gjumë gjatë rrugës. Pasagjerja tregon se është zgjuar në momentin kur autobusi ka dalë nga rruga dhe nga britmat e pasagjerëve.

“Çdo gjë ishte e mrekullueshme, shoferët ishin të shkëlqyeshëm, kishte muzikë, këngë… Shoferët u ndërruan në Zagreb dhe ai që e kishte ngasur autobusin deri atëherë shkoi të flinte. Vazhduam rrugën dhe unë rashë për të fjetur, ashtu si shumica prej nesh në autobus. Por papritmas u zgjova dhe e kuptova se diçka e shëmtuar po ndodhte.

Isha ulur në pjesën e prapme të autobusit, dëgjova udhëtarët e tjerë të bërtisnin dhe në vetëm disa sekonda autobusi u përmbys. E vetmja gjë që mund të dëgjohej ishte copëtimi i trupit në tokë dhe gjërat që ishin mbi ne filluan të na binin përmbi. Diçka më goditi në kokë dhe ende ndiej dhimbje, por nuk është asgjë kur mendoj për kaq shumë jetë të humbura”, tha gruaja e cila jeton e punon prej 24 vitesh në Gjermani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re