Damian Gjiknuri mbetet i besuari i Edi Ramës për çështjet zgjedhore.

Emri i tij do të propozohet si bashkëkryetar i Komisonit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, që pritet të miratohet në Kuvend me dakordësinë e të gjitha palëve politike.

Lajmin e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, pas mbledhjes me deputetët e PS-së, në mungesë të Edi Ramës, i cili ndodhet në një vizitë pune në Skoci.

Balla tha se menjëherë sapo PD të ketë emrin e saj  në bashkëkryetarit të Komisionit, ai do të miratohet në Kuvend dhe do të nisë puna për Reformën Zgjedhore.

Kreu i grupit të PS tha se edhe LSI ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë në Komision, dhe mbeten për t’u dakordësuar emrat.

Gjiknuri tashmë përveç se mban postin e numrit 2 në PS, atë të sekretarit të përgjithshëm, dhe drejtues politik në Elbasan, do të jetë dhe i pari i socialistëve për Reformën Zgjedhore.

Pavarësisht akuzave ndaj tij për ndërhyrje apo manipulim të zgjedhjeve, të gjithë janë dakord se ai është një nga ekspertët më të mirë që ka PS për çështjet zgjedhore.

Balla:

Në mbledhje u diskutua për buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe për propozimin për ngritjen e një grupi të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ne do të propozojmë si bashkëkryetar zotin Gjiknuri. Edhe nga LSI është shprehur dëshira për të qenë pjesë e këtij komisioni, të kalojmë sa më parë këtë komision në Kuvend.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re