Banorët e fshatit Manati të Lezhës janë të tronditur nga vrasja që ndodhi dje, ku 17-vjeçari Florian Përvathi qëlloi me armë Lek Lekgjonajn, të vëllanë e vrasësit të babait.

Krimi me motiv gjakmarrjen duket se ka qenë i paralajmëruar, sa kohë që vrasësi i babait të Florianit ka dalë brenda disa vitesh nga burgu.

Banorët thonë se Florianin e ka nxitur dikush, pasi mund ta kenë prekur në sedër me fjalë.

“E kam njoft për djalë të mirë me thënë të drejtën, është rrit jetim, me vdekjen e babës dhe nënës, është rrit jetim së bashku me të vallanë dhe motrën. Kur mora vesh dje më erdhi keq për të dyja familjet, psikologu duhet të kishte shkuar dhe të fliste me djalin, ai e ka bërë vetëm i nxitur për sedër. Kjo nuk ka qenë drejtësi, për mua ka faj të madh. Po të ishte personi në burg, ai nuk do ta kishte bërë atë gjë”, shprehet një banor.

Ndërkohë që një tjetër thotë se duhet të hetohet se kush ia dha armën.

“Kanunin e kemi hedhur poshtë njëherë, dikush ia dha armën, rrethanat e vrasjes nuk i di”, thotë ai.

Burime bëjnë me dije për Fax News, se menjëherë pas krimit që kreu, Floriani ka shkuar në drejtorinë e policisë, ka lënë armën te informacioni, dhe ka pranuar krimin e kryer.

Ai ka dëshmuar se vrasjen e ka bërë për motive hakmarrje, ndërkohë që tashmë ndodhet në gjendje të rënduar emocionale.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re