Në një intervistë për “Byro Politike” me Juli Xhokaxhi, mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda foli për përhapjen e koronavirusit. Duke iu referuar situatës në Spanjë, mjeku tha se ndonëse shifrat e numrit të të vdekurve janë ende të larta, në tre ditët e fundit ka një rënie.

Sipas tij situata në Spanjë do të përmirësohet në fund të prillit, ku pretendohet edhe kthimi në normalitet.

Po ashtu Sallabanda foli edhe për një praktikë që ka filluar të përdoret së fundmi atë të përdorimit të plazmës së të shëruarit për pacientët e infektuar.

“Plazma është një element, ne kemi 10 ditë që po e përdorim në spitale dhe po na ndihmon. 1/3 e të sëmurëve në Spanjë është shëruar që do të thotë se me këto elementë po shërojmë”, tha ai.

Pjesë nga intervista:

Do të shikojmë që në ditët e ardhme numri do të bjerë. Nëse nuk do të bjerë kemi një problem shumë të madh që do të thotë se e gjitha strategjia që kemi ndërtuar nuk po funksionon.

Si po funksionon pjesa e testeve?

Teste nuk shërojnë por diagnostikojnë dhe të japin një kuadër të qartë të përhapjes. Është mirë që të kemi teste. Unë kam një muaj e gjysmë që punoj në spital dhe nuk ma kanë bërë testin se nuk kam shenja. Ne e kemi kritikuar qeverinë se perse nuk bëjnë teste. Testet janë një element që na ndihmojnë sepse kufizojnë. Sot ajo që kemi në dorë është izolimi dhe higjena.

Imuniteti i fortë e përballon atë më mirë? Po shikojmë që ka të moshuar mbi 100 vjeç në Itali dhe po ia hedhin dhe nga ana tjetër ka të rinj që humbin jetën.

Ajo që shkakton koronavirusi është një reaksion imflamator në të gjithë trupin, jo vetëm në mushkëri. Kapaciteti i organizmit për tu përgjigjur është i ndryshëm. Tek moshat e mëdha është më i dobët dhe ata janë më të prekurit, por kjo nuk do të thotë që moshat e reja janë jashtë rrezikut.

Po diskutohet shumë përdorimi i plazmës së njerëzve që e kanë kaluar sëmundjen. Po praktikohet?

Po praktikohet, është një studim që ka mbaruar në Gjermani. Ne kemi 10 ditë që por praktikojmë në Spanjë. Ky është një element tjetër, akoma nuk e kemi gjetur atë skemën e artë për të luftuar këtë sëmundje. Plazma është një element masë, ne kemi 10 ditë që po e përdorim në spitale dhe po na jep ndihmë. 1/3 e të sëmurëve në Spanjë është shëruar që do të thotë se me këto elementë po shërojmë

Ndodh që ky virus të ketë forma të ndryshme?

Kjo varet jo vetëm nga karakteristika e organizmi, por edhe nga intensiteti i virusit. Varet nga organizmi, kapaciteti dhe nga intensiteti i infeksionit që ke.

Ajo që është shpresa e të gjithëve, kur mund të mbyllet?

Në fund të prillit në Spanjë mendojmë se situata do të jetë e stabilizuar. Mendojmë se pas të hënës së javës tjetër të hapen disa biznese, dhe pas datës 26 këto masa shtrënguese të liberalizohen. Sipas të dhënave që kemi në fund të prillit ne do të fillojmë të marrim frymë. Dua të them që karakteristikat e virusit janë të ndryshme me Kinën. Ne mendojmë se në fund të prillit të marrim frymë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re