Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, është përplasur sot në Kuvend me deputetin e opozitës, Flamur Noka, duke komentuar qëndrimet e Partisë Demokratike për procesin zgjedhor dhe për zhvillimet në KQZ.
“Në partinë tuaj e keni të vështirë të aplikoni nenin ‘Basha’, ndonëse ishit zotuar që pas zgjedhjeve do ta bënit. E kuptoj edhe përpjekjen tuaj halucinante në KQZ, ku çdo ditë po turpëroheni para publikut, teksa rrëzohen një e nga një të gjitha pretendimet tuaja”, tha Balla.
Ai ironizoi zhurmën që opozita ka bërë për kryeplakun e Pekishtit, duke shtuar: “Kur doli që s’kishte asgjë, u turrët pas 130 mijë votave të ashtuquajtura të manipuluara”.
Duke iu referuar një deklarate të Nokës në media, Balla shtoi: “Më thanë që Flamuri paska thënë se janë futur 500 GPS në zarfa dhe kanë mbetur në Londër. O Flamur, kjo që thua është vepër penale. Identifikimi dhe gjurmimi i votës ndalohet me ligj. Nëse ke prova, çoji në SPAK, mos bëj politikë me trillime”.
Taulant Balla replikë me Flamur Noka: Unë e kuptoj që në partinë tuaj e keni të vështirë të aplikoni nenin “Basha” dhe pse ishit zotuar që pas zgjedhjeve do ta aplikonit dhe e kuptoj shumë mirë gjithçka që po bëni edhe përpjekjen tuaj halucinante në KQZ ku çdo ditë po turpëroheni para publikut sesi po bien një nga një të gjitha pretendimet tuaja.
Bëtë gjithë atë zhurmë për kryeplakun e Pekishtit dhe kur doli që nuk kishte asgjë, pastaj jeni turrur pas 130 mijë të ashtuquajturave vota. Këtë më thanë që e tha Flamuri në një studio se paska futur 500 GPS në zarfa dhe këto GPS na paskan ngelur në Londër. O Flamur, o Flamur, kjo që thua ti është vepër penale sepse identifikimi, gjurmimi i votës është vepër penale. Kjo që bën ti është e dënueshme. Nëse ti e ke provë këtë, pse nuk shkon ta dorëzosh në prokurorinë e posaçme? Nëse ti ke instruktuar mbështetësit tuaj, që sipas teje paskan ngelur votat në Londër dhe i kemi numëruar ne këtu… unë e kuptoj që ju i shmangeni një debati të brendshëm. Zgjedhjet në Shqipëri kanë përfunduar. PS ka marrë 856 177 vota, ju keni marrë 529 354 vota, 300 mijë e kusur më pak. Gjejeni ku i keni votat tuaja.