Qeveria ka nxjerrë urdhrin për të mos hapur lokalet në kohën e shteterrethimit deri në një moment të dytë, sa të kalojë periudha e pandemisë së Covid-19. Kjo ka bërë që pronarët e lokaleve të shfrytëzojnë mundësinë të kthejnë ambientet e tyre në salla të lojrave të fatit.
Edhe pse duken nga jashtë si të mbyllura, brenda lokalit ka njerëz që konsumojnë pije dhe madje luajnë bixhoz, në gjë e ndaluar po me ligj. Një rast i tillë është konstatuar nga policia e shtetit në qytetin e Pogradecit, ku një shtetas ka hapur lokalin në kundërshtim me vendimin e qeverisë. Përveç ndjekjes penale, pronarit të lokalit i ka kushtuar shtrenjtë një veprim i tillë pasi është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra. Ndërsa me 100 mijë lekë të vjetra janë gjobitur katër pokeristët, që duket nuk i ka ecur loja me bllofin.
Njoftimi i plotë i policisë
Hapi lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ dhe e vuri në dispozicion për të ushtruar aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit, procedohet penalisht dhe administrativisht pronari i lokalit.
Procedohen penalisht dhe administrativisht edhe 4 shtetas, pasi janë kapur në orarin e ndalimit të lëvizjes, duke luajtur lojëra të palejuara të fatit. Sekuestrohen një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të kontrolleve të ushtruara për monitorimin e zbatimit të masave shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në lagjen nr. 1, në lokalin e shtetasit A. B., 35 vjeç, kanë konstatuar shtetasit E. K., 34 vjeç, F. B., 34 vjeç, S. B., 27 vjeç dhe V. K., 23 vjeç, banues në Pogradec, duke luajtur lojëra fati të palejuara.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi. Bazuar në Aktin normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, neni 3, pika 7 dhe 17, pronari i lokalit u ndëshkua me masë administrative në vlerën 1 milion lekë, ndërsa 4 të tjerët në vlerën 10.000 lekë të reja. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, kryer në bashkëpunim”.