Një histori e pabesueshme, por e vërtetë. Disa prej fqinjëve e dinin, por kishin heshtur. Kjo është historia e një gruaje nga Brazili e cila i shpëtoi zinxhirëve pas 17 vitesh, e burgosur nga i shoqi në shtëpi. Së bashku me gruan, të lidhur në zinxhirë ishin dhe dy fëmijët e tyre, përkatësisht 19 e 22 vjeçarë. Nuk kishin shkuar një ditë të vetme në shkollë dhe dukeshin si fëmijë të vegjël prej kequshqyerjes.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa media lokale atje ka dhënë një sërë detajesh, përfshi dhe rrëfimin e gruas e cila i shpëtoi më në fund skllavërisë që zgjati për 17 vite.
“Ti duhet të rrish me mua deri në fund, prej këtu do të ikësh vetëm kur të vdesësh”
Kështu i kishte thënë Luiz Silva të shoqes, me të cilën kishin 23 vite të martuar. Gruaja tregoi se edhe dy fëmijët e saj 19 e 22 vjeçarë lidheshin me zinxhirë nga i ati dhe nuk ishin lejuar të shkonin kurrë në shkollë. Njëlloj kishte ndodhur dhe me gruan, e cila ishte ndaluar nga i shoqi që të kryente studimet apo edhe të punonte. Përgjatë 17 viteve gruaja e fëmijët ishin rrahur nga Silva, në mënyrë konstante e mbajtur në kushte çnjerëzore.
Media braziliane G1, shkruan se disa prej fqinjëve ishin në dijeni të kësaj drame dhe horroreve që Silva kishte kryer mbi familjen e tij. Kur autoritetet e arrestuan këtë të fundit e ngjarja tërhoqi vëmendjen e medias, disa prej fqinjëve shpjeguan se përgjatë viteve ata janë munduar të denoncojnë, por autoritetet nuk i morën për bazë pretendimet e tyre.
Shumë prej fqinjëve i jepnin ushqim nënës e dy fëmijëve të saj, e cila shpesh herë qëndronte dhe për tre ditë me radhë pa ushqim.
“Fëmijët ishin të lidhur. Shpesh i kam sjellë bukë atyrë, por gruaja më tregoi se i shoqi e kishte parë bukën dhe e kishte hedhur. Ajo më tregoi se i shoqi e rrihte sepse mendonte se ajo ishte e keqe dhe se ajo nuk duhet të hante”-tregoi një prej fqinjëve.
Një tjetër fqinje tregoi për median se fëmijët e gruaja ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, kjo për shkak të mosushqimit. Gruaja s’fliste dot kur e nxorrën nga burgu 17 vjeçar.
“Edhe një javë e besoj se ata nuk do t’ja dilnin dot. I fola asaj (gruas) kur po qëndronte tek autoambulanca. Nuk ishte në gjendje të fliste dot për shkak se ishte shumë e pafuqishme.”-tregoi gruaja.
“Situata ishte e tmerrshme”-tha një oficer policie i shkoi në vendin e ngjarjes. Tashmë që hetimet kanë nisur dhe autori u arrestua, ka nisur dhe një hetim për të zbuluar se përse çështja u zbulua me kaq vonesë.
Një tjetër burrë që jetonte e punonte pranë zonës, tregoi një detaj të frikshëm. Alvaro dos Santos shpjegoi se kalonte me makinën e tij të punës afër shtëpisë, por kahera dëgjonte muzikë me volum të lartë.
“Shpesh kemi kaluar këtu dhe kishte zhurma të larta. Kishte një magnetofon të madh stereo atje e mesa duket është vendosur që të mbulonte atë që po ndodhte në të vërtetë aty. Ai burri është njeri i ashpër, flet si i fortë. Qëndtonte aty dhe ndizte muzikën. Shpesh herë është denoncuar, por veçse tani i erdhi fundi”-tregoi burri.
Burimi: G1 /Përktheu e përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info