Meteorologu Akil Osmani ka treguar se dita e nesërme do të jetë dita më e ftohtë e 10-ditëshit të parë të janarit.

Në një intervistë për “FaxNews”, Osmani ka deklaruar se gjatë të martës temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme, ndërsa moti do të jetë i mbizotëruar nga kthjellimet.

“Në vijim pritet që kushtet atmosferike të jenë të qëndrueshme sepse vendi do të mbizotërohet nga kthjellimet. Pasditen e sotme do të kemi shtim të vranësirave në zonat veriore dhe veri-lindore, që do të sjellin edhe reshje të pakta dëbore.

Por më pas do të kemi një kthjellim të situatës. Dita e sotme përsa iu përket temperaturave ka patur ulje të ndjeshme në vlerat minimale, por edhe në ato maksimale.

Rënia e temperaturave do të vijojë edhe ditën e nesërme duke bërë që të shënojë vlera minimale në zonat malore me 12 gradë Celsius, që në fakt do të jetë edhe dita më e ftohtë e 10-ditëshit të parë të muajit janar, por mesdita sjell një rritje të temperaturave”, tha meteorologu.

Sa i takon stuhisë së erës që përfshiu dje gjithë vendin, Akil Osmani ka sqaruar se intensiteti do të vijë në rënie. “Dita e sotme dhe e nesërme do të ulë intensitetin e erës, duke bërë që ajo të jetë prezente më shumë në det të hapur me shpejtësi 60 km/ orë.

Edhe në ditët në vijim intensiteti i erës do të bjerë. Edhe gjatë 10-ditëshit të dytë të janarit do të kemi episode që do të sjellin kushtet e një dimri normal, duke sjellë temperatura të ulëta.

Zona që do të ketë vlera më të ulëta do të jenë Puka, Kukësi, dhe zonat lindore si qyteti i Korçës dhe Ersekës. Ndërsa vlerat maksimale pritet të shënojnë qytetet bregdetare”, u shpreh Akil Osmani.

Ai ka treguar edhe nëse kryeqyteti do të mbulohet nga dëbora gjatë këtyre ditëve.

“Reshjet e borës do të jenë prezente, por në zonat e thella malore sepse atje pritet të shënohen edhe vlerat negative.

Sa i përket qytetit të Tiranës, gjatë kësaj jave nuk pritet të ketë reshje të borës. Flasim për 10-ditëshin e parë, më pas duhet sqaruar situata”, tha Akil Osmani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re