Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka premtuar hapjen e 5 shkollave të reja. Ndërtimet do të bëhen, sipas tij, në zonën midis Astirit, Kasharit dhe Yzberishtit ku janë edhe gati terrenet.

Ai theksoi se “duke qenë se në fushatë nuk lejohen garat për ndërtime, procedurat do të përgatiten pas zgjedhjeve për të tre lotët”.

“Për të gjithë qytetarët që kanë pyetur veten, ‘çfarë është ky terren ne mes te Astirit, që është ruajtur i pa ndërtuar’ sot kemi një përgjigje: do të jetë terreni i shkollës së re. Në fakt, do të kemi dy shkolla të reja: një shkollë e bashkuar, por me hyrje të veçanta, 9-vjeçarja me gjimnazin. Po flas, për një kampus që është rreth 10 mijë metra katrorë. 

Ne patëm disa vështirësi vjet, që unë i kam pranuar edhe publikisht: rritja e çmimit të çelikut dhe të shumë prej produkteve e të artikujve, me të cilat ndërtohen shkollat, shkuan në një nivel stratosferik. Kjo do të thotë se kemi pritur për ta rilançuar garën për të ndërtuar shkolla të reja në Yzberisht, në gjithë zonën e Astirit dhe të Kasharit përsëri këtë vit. Ky është vetëm një nga tre terrenet. Në këtë terren do të kemi 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Kemi një terren tjetër në Kashar, gjithashtu për 9-vjeçaren dhe gjimnazin dhe kemi gjithashtu, edhe një terren tjetër që është midis Lanës dhe Unazës”, tha Veliaj.

Ndërsa ironizoi edhe kundërshtarin e tij në zgjedhjet lokale Belind Këlliçin duke thënë se: “Sigurisht, të dyja palët duhen të mbajnë premtimet për shkollë, por një palë ka detyrim ta mbarojë shkollën për efekt diplome, kurse pala tjetër, që është pala jonë, ka detyrimin ta mbarojë shkollën për efekt të premtimit. Diferencë shumë e madhe midis shkollave që premtojmë dhe premtimeve që mbajmë.

Mezi pres që, ashtu siç kemi bërë 40 shkolla, të bëjmë edhe këto 5 të fundit. Një nga arsyet pse Astiri dhe Kashari na ka dhënë këtë mbështetje është se janë të sigurt se kush i bën 40 e ca shkolla i bën dhe 5 të fundit. Ata që s’kanë bërë asnjë shkollë sa herë që kanë drejtuar Tiranën apo s’i kanë mbarur as shkollat e tyre nuk kanë shans të nxjerrin qimen nga qulli.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re