Të dielën që lamë pas, një teleferik u rrëzua në zonën malore të Stresa-Mottarone, ku ndërruan jetë 14 persona, mes tyre dhe dy fëmijë të mitur. I vetmi që i shpëtoi tragjedisë ishte një fëmijë 5 vjeçar, i quajtur Eitan. Nëna, babai , vëllai i vogël së bashku me gjyshërit… të gjithë u shuan në aksident.

Një rrëfim mbi tragjedinë në Itali, kush ishin 14 viktimat që u shuan me rënien e teleferikut

Media italiane njoftoi se 5 vjeçari arriti të shpëtojë falë të atit, i cili e përqafoi dhe mbuloi me trup të birin, ndërsa teleferiku ra nga një lartësi prej afro 20 metrash dhe u rrokullis në terrenin e pjerrët malor për disa metra derisa u ndalua nga pemët. Ka qenë trupi i 30 vjeçarit, i cili ka mbrojtur 5 vjeçarin nga impakti i fortë me tokën e hekurat e teleferikut.

Me të dërguar në spital, vogëlushi është intubuar dhe mbajtur nën qetësues. Kjo pasi 5 vjeçari ka pësuar një sërë frakturash në këmbë e duar. Me kalimin e orëve, fatmirësisht gjendja e tij është stabilizuar, ndërsa këtë të martë autoritetet e spitalit në Torino, kanë dhënë një lajm të mirë. Mjekët kanë nisur procesin e zgjimit nga koma farmakologjike, ndërsa gjatë mbrëmjes fëmija i është përgjigjur trajtimeve.

“Vogëlushi ka kaluar një natë të qenë dhe ka qenë stabël. Për këtë arsye ka nisur procesi i zgjimit të tij. Po ulim dozat e barnave që e mbajnë në një koma farmakologjike. Do duhet pak kohë për këtë proces”-tha Giovanni La Valle, drejtuesi i spitalit.

Ky është aspekti klinik, por kemi parasysh dhe suportin psikologjik që fëmija do duhet të ketë sapo të zgjohet. Ekipi është gati. Në këtë moment kemi qasjen terapeutike dhe në çastin që vogëlushi do të zgjohet, pranë tij do të jenë të afërmit e familjarët. Jemi ptimistë sepse ai ka rikuperuar gjatë natës, orë që ishin mjaft kritike”-shtoi më tutje La Valle.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re