E mbytën me çarçaf dhe më pas e varën në pemë! Kejsi Spahillari inskenoi vetëvrasjen e të partnerit të saj, Antonio Karafili, së bashku me Rexhep Vathin, me të cilin kishte krijuar lidhje paralele.

Krimi i rëndë ndodhi më 14 Qershor 2018 në Voskopojë, ku Antonio Karafili u gjet i varur në një pemë në pyll. Ndërsa fillimisht çështja u raportua si vetëvrasje, pas dyshimeve të familjes, çështja u rihap në Maj 2021, ku pas hetimeve u zbulua edhe e vërteta tronditëse.

Kejsi Spahillari kishte krijuar një lidhje paralele me Rexhep Vathin dhe së bashku i morën jetën 18-vjeçarit, krim që u zbardh nga hetuesit vetëm 7 vite pas ngjarjes së rëndë.

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj 24-vjeçares, e cila ndodhet në Kanada ku ka krijuar familje. Ndërsa Rexhep Vathi i ka dhënë fund jetës në gusht të vitit 2024.

Rihapja e çështjes

Më 14 qershor 2018 në pyllin e Voskopojës u gjet i varur në një pemë 18-vjeçari Antonio Karafili. Personi, që e pa për herë të fundit në jetë të riun, ishte e dashura e tij, Kejsi Spaillari, e cila në atë kohë ishte vetëm 17 vjeçe.

Në dëshminë e saj para hetuesve e reja ka treguar se me Antonion atë ditë ishte takuar rreth orës 17:00 për të sqaruar një sherr që i dashuri i saj kishte me xhaxhin dhe kushëririn e saj. Po ashtu është shprehur se Antionio kishte bërë skena xhelozie duke e akuzuar atë se kishte një lidhje paralele.

Pas sqarimit të debateve që kishin me njëri-tjetrin, dy të rinjtë ishin ndarë rreth orës 20:00. E reja ishte larguar, por më vonë ishin njoftuar për ngjarjen e rëndë.

17-vjeçarja menjëherë kishte njoftuar prindërit e Antionies dhe së bashku shkuan ne vendin ku i riu ishte varur. E ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, tregoi me detaje se si gjeti djalin të varur në një degë pishe.

Ajo është shprehur që në fillim se djali i saj nuk është vetëvarur, por është varur. Që nga Qershori i vitit 2018, ajo është drejtuar disa herë në prokurori e gjykatë për të vendosur drejtësi për djalin, çështja është zvarritur.

Pas marrjes së dëshmive dhe sigurimit të dosjes, emisioni “Stop” ka rindërtuar ngjarjen dhe rezulton se Prokuroria nuk ka bërë ekspertizën siç duhet, pasi në dokumente thuhet se Antonio u var në një degë pishe 1.48 centimetra nga toka, por i riu ishte gati 1.80 centimetra i gjatë.

Prindërit e viktimës kanë hedhur dyshime të forta se prokurorja që kishte në fillim dosjen nuk ka bërë hetime siç duhet dhe tashmë çështja është në duart një tjetër prokuroreje. Por edhe këtë herë prindërit e viktimës thonë se nuk kanë gjetur drejtësi, pasi prokurorja Odeta Todorushi nuk ka kërkuar hetime të tjera, por ka kërkuar pushimin e çështjes.

Mimoza Karafili ka treguar në atë kohë se prokurorja nuk ka pranuar të takohet me ta dhe e akuzojnë se i ka kërcënuar, ndërsa ka kërkuar rihetim dhe bërjen e një ekspertize të re.

Ishte Gjykata Korçës që ka kthyer sërish çështjen për hetim dhe rasti nisi të hetohej për vrasje dhe jo për vetëvarje.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko