Dritan Rexhepi ka dëshmuar në GJKKO në lidhje me akuzat ndaj tij se porositi rrëmbimin e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar 2020 në zonën e Kamzës, ku pasi trupi i tij i pajetë dërgua me Range Rover në resortin e Altin Hajrit në Shijak, u zhduk pa gjurmë.
Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Dritan Rexhepi, i cili u ekstradua pak kohë më parë nga Turqia pasi u arrestua në Stamboll, ka deklaruar se nuk ka njohje me Gentian Funiqin, duke shtuar se “unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor”, referuar burgut ku ndodheshin në Ekuador.
“Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri”, tha ai.
Ndërsa shtoi se lajmin që akuzohej për rrëmbimin e Jan Prengës, e ka marrë vesh nga familjarët e tij, duke kërkuar edhe ballafaqim me vëllain e viktimës.
“Nga familjarët mora vesh që akuzohesha për një rrëmbim të një personi që ishte zhdukur. Më thanë për Jan Prengën, familjarët e mi, burri motrës time Dorjan Velaj. Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë që ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të viktimës. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës”, deklaroi Dritan Rexhepi.
Dëshmia e Dritan Rexhepit në GJKKO:
Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do me pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj qe vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor.
Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri. Kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzohesha për diçka që kishte ndodhur në Shqipëri.
Nga familjarët mora vesh që akuzohesha për një rrëmbim të një personi që ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes një familjarit tim, nuk mora dot. Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë që ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të viktimës. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës.
Ju keni hipur në trenin e gabuar dhe kërkoni te shkoni atje ku doni ju. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Doni të bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi ca bëj unë, jo çfarë thonë të tjerët. Nuk keni bërë asnjë lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet? Më thanë për Jan Prengën, familjarët e mi, burri motrës time Dorjan Velaj. Ai takoi një gazetar te prokuroria dhe unë fola me gazetarin përmes kunatit tim. Përmes avokatit tim me vinin gazetat e fotokopjuara.
Ndërkohë që kunati im shkoi te Prokuroria e Tiranës për këtë çështje, takoj një gazetar dhe i tha dy gjëra. O zoti gazetar i thashë “nuk jam unë personi që po flitet”. Fola me Artan Hoxhën. I dhashë disa foto dhe ai i publikoi.