Djali i Xhemal Metës ka rrëfyer bisedën me Isuf Hasën, autorin e dyshuar të vrasjes së 81-vjeçarit ditën kur ndodhi krimi (13 Janar).

Në emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, djali i viktimës deklaroi se kishte telefonuar 64-vjeçarin për ta pyetur nëse ishte takuar me babain e tij, por ai i kishte thënë që “Jo”.

Ai shtoi se i ati i mbante paratë në një qese lidhur në qafë, ndërsa autori i dyshuar ishte në dijeni të këtij fakti.

Ndërsa rrëfeu se Xhemal Meta kishte zgjedhur të jetonte vetë në fshat, së bashku me bashkëshorten, e cila ka ndërruar jetë.

“Autorin e morëm atë ditë në telefon. E pyetëm a e kishte takuar babanë më tha jo. Familja e autorit nuk ka tentuar të më kontaktojë, i ka fëmijët e martuar.

E dinim që babai kishte paratë dhe i mbante të lidhur në qafë me një qese. Edhe autori e dinte që ai kishte para, takoheshin çdo ditë.

Ai kishte zgjedhur të jetonte vetë në fshat, ishin së bashku me nënën por ajo ndërroi jetë më pas”, tha djali.

Zbardhja e vrasjes

Më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta.

Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posacëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Grupi i posacëm hetimor i përbërë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe Specialistët e Departamentit te Policisë Kriminale nën drejtimin profesional të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Pergjithshme Tiranë, kanë kryer një sërë veprimet profesionale hetimore nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit.

Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar.

Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.

Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.

Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.

Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .

Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re