Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Lezhës, Pashk Gjoni, është shprehur i bindur në fitoren e zgjedhjeve në 14 maj dhe tha se maxhoranca e mori Lezhën si plaçkë të falur.

Komentet Gjoni i bëri gjatë takimit përmbyllës të fushatës elektorale në Lezhë, ku i pranishëm është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjoni tha se PS po përdor falangat e krimit për të mbajtur bashkinë, por shtoi se Lezha do të kthehet në makthin e tyre dhe i gjithë qarku do të fitohet 3 me 0.

“Kam përgatitur një fjalim, por këtu nuk ka vend për të shkruajtur. Këtu flet zemra dhe shpirti. Ju në primaret e bekuara më votuat për të qenë përfaqësues i opozitës. Këto janë zgjedhje politike, ku ky pushtet i korruptuar ka si togfjalësh vjedhjen dhe arrgoancën dhe duhet të marrë rrokullimën e madhe. E keqja duhet të fillojë të marrë fund në 14 maj me votën e lirë.

Kjo pjesëmarrje na mbush me mobilizim dhe na tregon që këta uzurpatorë do të ikin. Lezhën do ta kenë makthin e tyre dhe nuk do të kenë kurajon ta kthejnë kokën më nga Lezha. Këta e morën bashkinë si një plaçkë të falur. Po bëjnë çmos duke përdorur falangat e krimit për ta mbajtur këtë bashki. Unë i them “ruani pak burrni para se të ikni”. Kemi përballë përfaqësues të krimit, një kryebashkiak të kapur që ka treguar se di vetëm të pikturojë si ati i tij shpirtëror dhe politik.

Ky njeri sot del e jep mendje sesi do ta zhvillojë turizmin. Ky njeri del dhe asfalton rrugë 3 ditë para zgjedhjeve. Stadiumi nuk do të prishet, është identiteti i Lezhës dhe si i tillë nuk do ta lejojmë të prishet. Ju premtoj këtu se do të jem i pari dhe i fundit dhe ai stadium do të rikonstruktohet aty ku është. Këta kanë ditur thjesht të betonizojnë e të shkatërrojnë. Sali Berisha ju kemi premtuar se qarku i Lezhës do të fitohet 3 me 0 dhe kështu do të jetë. Këta duhet të mësojnë se ky popull nuk blihet, nuk shantazhohet dhe intimidohet”, u shpreh Gjoni.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re