Spartak Dyrmishi, i shpallur në kërkim nga autoritetet greke për përdhunim, u arrestua mbrëmjen e të hënës në Vlorë. 45-vjeçari ishte strehuar prej pak ditësh në katin e nëntë të një pallati pranë ish-shtëpisë së oficerëve.

Ndalimi i 45-vjeçarit u bë pas alarmit të ngritur nga autoritetet fqinje se ai kishte hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës dhe mund të arratisej drejt një shteti tjetër.

 

Pas arrestimit, sipas uniformave blu, Dyrmishi shprehu dëshirën për t’u dorëzuar tek Policia Greke dhe në orët e para të mëngjesit ai u dërgua drejt pikës kufitare të Kakavijës. Kjo pasi vendi ynë me Greqinë nuk ka një marrëveshje ekstradimi.

 

Spartak Dyrmishi apo i identifikuar ndryshe si burri me tatuazh dragoi, akuzohet si autor i përdhunimit të një gruaje në Athinë të dielën e kaluar.

 

Ai dyshohet se abuzoi seksualisht me një 34-vjeçare, të cilën nën kërcënimin e thikës e mori nga stacioni i autobusit ku ajo po priste dhe e përdhunoi disa metra më larg.

 

Po atë natë ai tentoi të përdhunonte dhe një vajzë tjetër 24-vjeçare, të cilës iu fut në makinë. Por e reja, siç shihet dhe nga këto pamje të publikuara nga mediat fqinje, gjeti mundësinë të ndalonte përpara një lokali dhe të kërkonte ndihmë. 45-vjeçari shqiptar u zbulua nga gjurmët e ADN-së dhe tatuazhi, ndërsa njihej si person problematik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re