“Për mua ishte shumë e vështirë të kuptoja, se babin nuk do ta shihja më kurrë, se ai nuk do të kthehej më… asgjë nuk ishte njësoj, jeta ime ndryshoi”

Këto janë fjalët e një 7 vjeçari të quajtur Rupert. Në vitin 2019, babai i tij Tomi, pësoi një aksident në punë dhe ndërroi jetë.

Një qendër bamirëse e ndihmoi familjen e vogëlushit. Gjatë kohës që 7 vjeçari dhe e ëma po vajtonin për humbjen e Tomit, qendra i ndihmoi dhe i njohu me të tjera familje që kishin provuar të njëjtën sprovë.

BBC i ka kushtuar një artikull historisë së Rupertit, pasi ky 7 vjeçar, kërkon të ndihmojë tashmë të tjerët. Për hir të të atit dhe me qëllim për të ndihmuar ata fëmijë që kanë provuar të njëjtën dhimbje si ai, Ruperti ka marrë përsipër të kryejë një maratonë me biçikletë. Historia dhe vullneti i këtij vogëlushi kanë prekur jo pak zemra. Më shumë se 11 mijë paund në donacione ka mbledhur Rupert, para që do t’i dërgojë në qendër për t’u shërbyer atyre që janë sprovuar njëlloj si ai.

“Kur i jap biçikletës, më kujtohet koha me babin. Do të jetë një sfidë e vështirë për mua (maratona), por unë e di se babi im, do të jetë krenar për mua”-tha 7 vjeçari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re