Fax News ka siguruar dëshminë e dy vëllezërve të shefit të policisë të Paraburgimit në Vlorë, Feim Alisinani, të cilit i dogjën mjetin gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Ata shprehen se vëllai i tyre nuk ka pasur asnjë problem gjatë kryerjes së detyrës së tij, dhe e njohin të gjithë në rrethin e Vlorës për një person të rregullt dhe pa probleme.

“Vëllai jonë në të gjithë karrierën e tij, mund të pyesni të gjithë rrethin e Vlorës se na çfarë pozicioni ka qendruar. Gjithmonë ka kryer detyrën e shtetit, ka marrë lavdërime gjithmonë, nuk dimë që të ketë pasur kërcënime as nga ana e të burgosurve.

Grupe të caktuara gjithmonë dhunojnë rrobën e shtetit. Pikëpamja jonë është që rrobën e shtetit e dhunojnë, vetëm për shkak të detyrës. Që kur ka filluar sistemi edhe sot, ka kalua gjithë ky tranzicion vëllai jonë është shembull. Nuk e dimë ku ndodhet tani, ka shkuar në punë”, janë shprehur vëllezërit e Feim Alisinanit.

Siç shihet edhe nga pamjet që transmetoi më herët Fax News, ngjarja e cila ka ndodhur në lagjen Hajro Cakerri në Vlorë, duket që të ketë qenë e menduar në detaje, nga ana e autorëve, të cilët shihen në video, duke kryer të gjitha veprimet në më pak se dy minuta.

Njëri prej tyre i afrohet fillimisht makinës dhe sheh situatën përreth, thyen xhamat dhe më pas pret mbërritjen e shokut të tij. Sapo bëhen bashkë ata hedhi lëndë djegëse brenda mjetit, ndërkohë që menjëherë pas ndezjes makina shpërthen në flakë.

Siç duket edhe në videon e siguruar nga Fax News, dy të rinjtë ja mbathin me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të dy kanë vendosur kapuç, ç’ka mund ta bëjë të vështirë identifikimin e tyre nga ana e Policisë.

Mjeti i Alisinanit tip “Nissan Micra”, është djegur plotësisht, ndërkohë që hetimet janë përqendruar në pistën e djegies së makinës për shkak të detyrës që shefi i Policisë së Paraburgimit ka mbajtur.

Ndërkohë që Policia e Vlorës derimë tani nuk ka dhënë detaje nëse ka rënë apo jo në gjurmët e autorëve.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re