Dy biznesmenë shqiptarë, në Gjermani e Zvicër, kanë marrë përsipër të ofrojnë ushqim dhe strehim për të gjithë personelin mjekësor që janë ofruar të kurojnë pacientët e infektuar me Covid-19. “Albinfo.ch”, shkruan se, Bedri Idrizi, menaxheri i një restoranti në Gjermani, ka shpërndarë ushqim falas për stafin e shërbimeve shëndetësore, në shenjë falenderimi për kontributin e tyre për të ndihmuar pacientët e infektuar me Covid-19. Gjithashtu, Idrizi, së bashku me stafin e tij, po ndihmojnë dhe grupe të moshuarish, duke u dërguar ilaçe dhe ushqime.

Ai menaxhon restorantin “Dolce Vita” në Schëedt Oder të Gjermanisë, dhe shqiptari nga Tetova ka shpërndarë ushqim falas për 12 reparte të spitalit të qytetit, për njësitë zjarrfikëse, ndihmën e shpejtë dhe njësitë e tjera të ambulancës, në shenjë solidarizimi me përpjekjet humane të atyre që bëjnë gjithçka për ta ndihmuar popullatën në kohën e pandemisë së virusit korona.

Gjithashtu, stafi i restorantit ka shpërndarë një afishe, ku u bën thirrje pleqve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të mos e rrezikojnë shëndetin, ndërkohë që ilaçet dhe ushqimi atyre u dërgohet nga ekipi i restorantit deri në shtëpi dhe pa asnjë fitim.

“Të dashur gjyshe e gjyshër, ju rrini në shtëpi dhe na dërgoni porositë për barna e ushqim, kurse ne ua blejmë dhe ua sjellim në shtëpi,”– thuhet në postimin e shpërndarë.

Nga ana tjetër, hotelieri shqiptar Nazmi Mehmetaj ha hapur hotelin e tij për të mirëpritur personelin mjekësor që vjen nga vendet e tjera. Ai kishte mbetur pa punë, pasi gjithçka u mbyll për shkak të Covid-19 dhe hapi dyert e hotelit për mjekët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re