Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-kolegut të tij, Gerti Bogdani.
Gerti Bogdani
Salianji shprehet se ikja e tij e parakohshme ishte një lajm tronditës, ndërsa e kujton si një nga djemtë më të mirë në PD.
Gjithashtu, deputeti demokrat i shpreh ngushëllime bashkëshortes dhe familjes së Bogdanit.
Postimi i Salianjit:
E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert!
Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë!
Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti!
Si ndodhi vdekja e Gerti Bogdanit
Gerti Bogdani dyshohet se ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. Ai ka qenë duke konsumuar kafe në ambientet e hotelit Rogner në Tiranë, kur ka shfaqur shqetësime.
“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është larguar për në tualet.
Por pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan në tualet dhe kanë hapur derën me forcë.
Ata e kanë gjetur ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.
Më pas kanë lajmëruar ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani ka marrë ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është gjetur pa ndjenja shtetasi G. B., 45 vjeç. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.