Pas bllokimit prej një viti të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, kryetarja Holta Zaçaj tha se kjo ishte e paimagjinueshme për një shtet ligjor.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha të hënën se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje në një shtet ligjor. Komenti i Zaçajt i referohej moszbatimit të vendimeve të kësaj gjykate nga Kuvendi në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka dhe shkeljes së afatit të vendosur për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për votën e emigrantëve.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor,” tha Zaçaj në një konferencë për mediat, duke shtuar se vendimet e GJK janë të formës së prerë, janë përfundimtare dhe të zbatueshme.

“Nuk ka ekuivoke në vendimet e GJK-së,” këmbënguli kryetarja e kësaj gjykate, ndërkohë që mazhoranca socialiste mban të bllokuar prej 1 viti zbatimin e vendimit të  Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.

Megjithatë, Zaçaj pranoi se nuk ka ndonjë mekanizëm kontrollues për zbatueshmërinë e vendimeve të kësaj gjykate.

“Kushtetuta dhe ligji organik nuk i kanë dhënë Gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve, sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme,” shtoi ajo ajo.

Të pyetur nga BIRN, as kabineti i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe as kryeministri Edi Rama nuk e komentuan deklaratën dhe “paligjshmërinë” e qëndrimit të tyre në raport me këtë çështje.

Në janar 2023, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si anktikushtetuese vendimet e Kuvendit për të mos dëguar për interpretim papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është i detyruar që të dërgojë për interpretim mandatin e një deputeti.

Pavarësisht vendimit, Kuvendi e zvarriti çështjen në Këshillin e Legjislacionit deri në korrik, ku deputetët socialistë kërkuan rikthimin e saj në pikën zero në shqyrtim në Këshillin e Mandateve në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare që kërkonte një vendim të thjeshtë në seancë plenare.

Prej asaj kohe, çështja “Xhaçka” mbahet në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit. Nikolla ka nxjerrë pretendime të ndryshme për mosveprimin duke paralajmëruar mbajtjen në sirtar pa afat, ndërsa kryeministri Edi Rama e quajti “të paqartë” vendimin e GJK-së.

Nga ana tjetër një vendim i kësaj gjykate për garantimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufinjve nuk është zbatuar akoma nga Kuvendi dhe pse kishte afat përfundimtar datën 14 janar 2024./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re