Nën organizimin e Suzana Turkut dhe pjesëmarrjen e Inva Mulës, Kastriot Tushës, Vikena Kamenicës, etj., artistët sollën këngën “Shqipëri o vendi im” në kushtet e distancimit social ku secili u bë i pranishëm përmes celularit nga shtëpia e tij.

50 artistë shqiptarë u mblodhën bashkë duke sjellë në një mënyrë origjinale këngën e famshme.

Këtë këngë, të cilën ata e cilësuan si “himn të ditëve të koronavirusit për shqiptarët”, artistët e prezantuan për herë të parë në studion e Endri Xhafos në ABC News, në të cilën nuk munguan edhe emocionet.

Kjo këngë ka ngritur peshat e gjithë shqiptarët e cila nisi si një homazh për të gjithë mjekët në Shqipëri, dhe përfundoi e ka shkuar përtej kësaj, sepse është shndërruar tashmë në një himn për dashurinë për njëri-tjetrin tek të gjithë shqiptarët.

Gjatë bisedës virtuale në ABC News, sopranoja Inva Mula tha se kjo këngë ishte një projeksion shumë i bukur, emocionues  dhe i pabërë ndonjëherë më parë.

“Mos harroni se pavarësisht vështirësive, secili nga ne, pavarësisht së cfarë po ndodh, duhet të mendojmë se cila është pozitivja në këtë që po ndodh”, tha Mula.

Biseda e plotë:

Endi Xhafo: Keni patur regjistrime dixhitale edhe më parë, kohë kur regjistronit me Erik Seran pjesë të “Plava Lagunës” në filmin “Elementi i pestë”, por kësaj herë ishte ndryshe, regjistrimi nuk ishte në një studio por duhet të regjistroje veten me celular. Kjo ju duk pak e çuditshme nga pikëpamja artistike?

Inva Mula: Në fakt këtë po e bën gjithë bota, dhe pikërisht këto selfiet dhe videot në këto momente të vështira për gjithë globin, ishin mjeti më i thjeshtë e komunikues dhe më i domosdoshmi për të përcjellë zërin tonë jashtë mureve të shtëpisë. Mendoj që telefoni nuk ka qenë më i domosdoshëm më parë se në këto kohë të pandemisë.

Endi Xhafo: Ju nuk e dini produktin, si u nise të marrësh pjesë?

Inva Mula: Sigurisht që në momentin që më mori Zana Turku në telefon isha e bindur që po më merrte për një produkt të suksesshëm, ajo e di shumë mirë cfarë bën si artiste. Pashë se kishte projektuar dicka shumë të bukur, dhe menjëherë i thashë: Do ta bëjmë! Nuk doja të kisha protagonizëm, doja të isha si gjithë të tjerët. Bukuria e këtij projekti është se ne aty jemi shumë dhe po të shohim gjithë shembujt e tjerë në botë nuk kanë qenë kaq të shumtë sa ne. Jemi 50 pjesëmarrës aty për të realizuar një gjë të tillë, dhe kjo është shumë e bukur, e pabërë ndonjëherë, është tepër emocionuese.

Endi Xhafo: Ju shtuan emocionet nga fakti se është një këngë e kënduar nga i madhi Avni Mula?

Inva Mula: Sa herë e dëgjoja ditën e parë, edhe të dytën, vazhdova e dëgjova sot përfundimin, dhe përsëri më emocionoi si këngë. Sot kam dëgjuar versionin përfundimtar. Bukuria e kësaj është që nuk jemi vetëm këngëtar në atë video por edhe orkestra e radiotelevizonit. Koncepti për të qenë bashkë nuk e ndryshoi dot as pandemia. Mos harroni se pavarësisht vështirësive, secili nga ne, pavarësisht së çfarë po ndodh, duhet të mendojmë se cila është pozitivja në këtë gjë. Mund t’ju them diçka të bukur, vajza ime sot më pyeti, kur fillon shkolla dhe i thashë se nuk e dimë akoma. Ajo më tha se do donte mos të fillonte akoma, pasi kishte dëshirë të qëndronte ende me mua. Kjo na bën të kuptojmë sa e rëndësishme është familja, sa e rëndësishme është që, këtë kohën tonë t’ja japim fëmijëve. Kësaj që po ndodh le ti japim nota optimizmi e pozitiviteti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re