Inxhinierët janë të mendimit se qeveria po gabon me nivelin e pagesës për kalimin në segmentin rrugor Milot-Fier. Sipas Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë, një tarifë e tillë është e lartë dhe mbi të gjitha ajo nuk duhet të jetë në të gjithë gjatësinë e rrugës. I ftuar në emisioni E-Zonë, në Vizion Plus, kreu i kësaj shoqate Faruk Kaba thotë se pagesa duhet vetëm për segmentin e ri që do të ndërtohet.

“Pagesa duhet të vendoset vetëm në gjatësinë e rrugës së re që do të ndërtohet, pra Thumanë-Lekaj dhe jo Milot-Fier, pasi pjesët e tjera rrugore janë të ndërtuara dhe shqiptarët kanë paguar një herë për ndërtimin e tyre. Pagesa prej 7.5 euro për kapacitetet dhe mundësitë ekonomike të shqiptarëve është shumë e lartë”, u shpreh Kaba.

Inxhinieri shtoi se koston më të madhe pa dyshim do e ketë segmenti i ri që do të ndërtohet, ndërsa pjesa tjetër është e ndërtuar prej vitesh por ka nevojë për ndërhyrje, ndaj këto kosto nuk mund t’i ngarkohen qytetarëve.

Më 1 korrik, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, çelën garën për segmentin rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Kostoja e rrugës pritet të jetë afro 1.2 miliardë euro, ndërsa qytetarët që do e përdorin atë do të paguajnë një tarifë prej 1 mijë lekë të reja, tek Privati që do e ndërtojë dhe mirëmbajë rrugën. Sapo u prezantua, ky projekt u quajt një vjedhje nga PD, ku kryetari Lulzim Basha, tha se ky është një “projekt imagjinar” i një qeverie në ikje.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re