Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç kërkoi që hetimet për sulmin në Veri të Kosovës t’i nisin edhe ndërkombëtarët, të cilët sipas tij duhet të marrin përgjegjësinë e tyre.

Nga Tirana, pas përfundimit të punimeve për ministerialin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, Abazoviç tha se ajo çfarë ka ndodhur në Veriun e Kosovës është e papranueshme.

Kushdo që e ka shkaktuar konfliktin sipas tij, duhet të mbajë përgjegjësi.

“Unë mendoj se hetimi i cili do të realizohet ka për të treguar të vërtetën. Është fare e papranueshme ca ka ndodh në veriun e Kosovës. Mali i zi përkrah qëndrimet e BE dhe NATO. Kushdo që ka krijuar atë lloj konflikti duhet të përgjigjet.

Unë e pres edhe nga autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, por edhe nga ndërkombëtarët. Se ndërkombëtarët nuk mundet “me la duart prej ksaj pune.”

Pasi ka pas shumë paralajmërime nga ana e Kosovës se atje ka njerëz që janë kriminelë  dhe ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësinë e vet

Duhet t’i thonë gjërat siç janë nëse duan të ndërtojnë një të ardhme”, tha Abazoviç për gazetarët.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit Rama se “veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt”, Abazoviç deklaroi se Mali i Zi e ka njohur tashmë Kosovën me kufijtë e saj. Ndërsa për Ramën, u kujdes të theksonte se është i bindur se po punon për paqen në rajon.

“Mali i Zi e ka njohur Kosovën në kufijtë që janë të pranueshme për gjithë shtetet që kanë njohur Kosovën dhe nuk ekzistojnë vendet që janë ekstraterritoriale.

Nuk kam një qëndrim të posaçëm por vetëm do të them atë që jam i bindur nga dita e parë që kam nis bashkëpunimin me Ramën se veprimet e tij, shkojnë vetëm në drejtimin që në rajon të kemi paqe dhe progres.

Nuk jam ai që të bëj një lloj kritike ndaj Edi Ramës, pasi jam i bindur se çdo veprim i tij shkon në drejtim vetëm që të kemi një rajon që ka me qenë fokusi në paqe”, tha kryeministri i Malit të Zi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re